Ish-këshilltari i Hashim Thaçi, Adil Behramaj ka reaguar pasi Gjykata Speciale sot njoftoi se ish-presdientit i është shtuar edhe një akuzë në procesin gjyqësor ndaj tij.
Ai e ka vlerësuar këtë lëvizje si tentativë të Gjykatës për t’u shpërlar nga dështimet.
“Prokuroria e Gjykatës Speciale e ka humbur betejën juridike kundër Hashim Thaçit dhe me aktakuzën e re kinse për pengim të drejtësisë po provon t’ia lë një njollë. Ajo po përpiqet të krijojë alibi për ta arsyetuar dështimin e saj se gjoja është penguar prej dikujt që e mbajnë të mbyllur që katër vjet në paraburgim shumë larg Kosovës. Trillimeve të aktakuzës së parë iu ka ardhur fundi. Tash u duhet një episod i ri, gjithsesi i shkurtër, si tentativë për ta shpërlarë veten nga komprometimi më i madh që ia kanë bërë drejtësisë – si vlerë, si koncept e si racionalitet, duke e përdorur gjatë gjithë kësaj kohe si vegël politike në duart e tyre”, ka shkruar ai.










