Faton Ramadani, vëllai i të dënuarve në rastin “Kiqina”, ka reaguar publikisht pas një shkrese të dërguar nga Fadil Demaku përmes avokatit të tij.
Në reagimin e tij në Facebook, Ramadani thekson se përkundër pretendimeve se rasti “Hajra” është hetuar dhe gjykuar, kjo nuk duhet të ndalojë diskutimin publik dhe kërkimin e së vërtetës.
Ai shprehet se vëllezërit e tij janë dënuar padrejtësisht për të mbuluar, sipas tij, “kriminelët e vërtetë”, duke shtuar se janë fshehur prova të rëndësishme ndër vite.
“Kjo nuk përbën arsye që të ndalohet diskutimi publik apo kërkimi i së vërtetës. Vëllezërit e mi janë dënuar vetëm që të mbulohen kriminelët e vërtetë, duke i fshehur provat. Tash, pas 24 viteve, janë siguruar edhe informacione se kush e ka thirrur familjen Hajra në telefon”, ka deklaruar Ramadani.
Ai shton se shkresa e pranuar nuk e ndalon, por përkundrazi e motivon që të vazhdojë përpjekjet për zbardhjen e plotë të rastit.
“Kjo shkresë nuk më ndalon, përkundrazi më motivon që të vazhdoj kërkimin për drejtësi deri në zbardhjen e plotë të rastit”, është shprehur ai.
Sipas Ramadanit, publikimet e tij bazohen në dokumente të siguruara pas shumë vitesh dhe janë bërë në interes të informimit të drejtë të publikut, duke shtuar se qëndron prapa tyre dhe është i gatshëm për çdo verifikim institucional.
Ai ka paralajmëruar gjithashtu se do ta bëjë publike edhe shkresën e pranuar, për transparencë të plotë.
Në fund, Ramadani u ka bërë thirrje organeve kompetente, përfshirë Prokurorinë, që të hetojnë të gjitha pretendimet në mënyrë të paanshme, ndërsa i ka kërkuar edhe vetë Fadil Demaku që të kërkojë publikisht hetim lidhur me këto pretendime.
“E vërteta dhe drejtësia duhet të jenë mbi çdo presion apo kërcënim”, ka përfunduar Ramadani.









