Dibran Gashi ka reaguar për GazetaKosova.net, lidhur me një fotografi të tij së bashku me vëllain, e cila po qarkullon në media dhe sipas tij po keqpërdoret, duke u paraqitur gabimisht si foto e personave të arrestuar.
Ky reagim vjen pas raportimeve për një grabitje të armatosur, e cila ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 3 shkurtit 2026, në rrugën “Durak Rada” në Prizren, ku tre persona të maskuar, nën kërcënimin e armëve, kanë grabitur 40 euro nga njëri prej të dëmtuarve.
Për këtë rast, Policia ka arrestuar tre persona, në mesin e tyre Shkodran Gashi dhe familjari i tij Liridon Gashi.
Ndërsa, Dibran Gashi ka reaguar sonte duke thënë se lajmi dhe fotografia e publikuar nga Sinjali nuk janë të vërteta, pasi sipas tij, të arrestuar janë persona të tjerë, ndërsa fotografia që po përdoret në raportime është e tij dhe po shpërndahet padrejtësisht.








