Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, përmendi Cristiano Ronaldo si një “djalë të mrekullueshëm” gjatë një bisede me Lionel Messi në Shtëpinë e Bardhë.
Kampionët e MLS Cup, Inter Miami, vizituan Trumpin të enjten për të përkujtuar fitimin historik të titullit në vitin 2025, ndërsa Messi ishte në qendër të vëmendjes përpara bashkëlojtarëve të tij Luis Suarez dhe Rodrigo De Paul.
Në muajin dhjetor, skuadra e drejtuar nga Javier Mascherano fitoi 3-1 ndaj Vancouver Whitecaps në finalen e MLS Cup, ndërsa Messi, i shpallur lojtari më i vlefshëm i ndeshjes, regjistroi dy asistime.
Është bërë traditë që kampionët e sporteve profesionale dhe universitare në Shtetet e Bashkuara të përgëzohen nga Presidenti.

Gjatë ceremonisë, Trump përmendi gjithashtu Luis Suarez, duke e quajtur atë “një nga sulmuesit më të mëdhenj të të gjitha kohërave”.
Messi gjithashtu shtrëngoi duart me Trumpin pasi u prezantua me të pranishmit brenda Zyrës Ovale në Shtëpinë e Bardhë.
“Është privilegji im të them diçka që asnjë president tjetër nuk e ka thënë më pare. Mirë se erdhe, Lionel Messi, në Shtëpinë e Bardhë”, ka thënë Trump.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara vazhdoi duke përmendur se djali i tij, Barron Trump, është një tifoz i madh i Messit, ashtu si edhe i Cristiano Ronaldos.
“Ai (Barroni) është një tifoz i madh i yti. Ai mendon se je një person i mrekullueshëm. Është një admirues i madh i yti, si edhe i një zotërie të quajtur Ronaldo… Cristiano është i jashtëzakonshëm. Disa kampionë të mëdhenj, disa atletë vërtet të mëdhenj në atë sport”, vazhdoi ai.
Në muajin nëntor të vitit të kaluar, Trump priti Ronaldon në Shtëpinë e Bardhë vetëm një javë pasi sulmuesi i Al-Nassr kishte zbuluar se për çfarë do të diskutonte me Presidentin nëse do të takoheshin personalisht.









