Shkruan Rexhep Elezaj
Në reagimin e Ministrisë për Punë të Jashtme të Serbisë, dënohet ashpër vendimi i Republikës së Kenisë për ta njohur pavarësinë e Kosovës, se, gjoja një veprim i tillë paraqet shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare si dhe shkelje të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila, gjithnjë sipas zyrtarëve të Serbisë, garanton sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Serbisë, por të cilën autoritetet keniane e paskan shkelur me këtë vendim..!?
Në këtë reagim tutje thuhet, se gjoja “Një vendim i tillë i shtetit të Kenisë minon përpjekjet që synojnë dialogun konstruktiv, stabilitetin rajonal dhe respektimin e rendit juridik ndërkombëtar, dhe se gjoja referenca e zyrtarëve të Kenisë në vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2010, është e pabazuar, dhe se ky vendim paraqet një precedent të rënd në marrëdhëniet tradicionalisht miqësore midis Serbisë dhe Kenisë, marrëdhënie që janë ndërtuar me dekada e me respekt dhe bashkëpunim të ndërsjellë, duke përfshirë edhe bashkëpunimin në kuadër të Lëvizjes së vendeve të pa-inkuadruara”..!
Po ashtu, në reagimin e MPJ-së së Serbisë thuhet, se ne do ta vazhdojmë luftën tonë edhe më fuqishëm në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial me të gjitha mjetet diplomatike dhe ligjore në dispozicion. Republika e Serbisë do të marrë të gjitha masat e nevojshme diplomatike dhe politike në përgjigje të këtij akti të papranueshëm dhe armiqësor të Kenisë”, thuhet ndër të tjera, në këtë reagimi plotë histeri dhe kërcënim të hapur ndaj Kosovës.
Mirëpo, me këtë rast patjetër duhet cekur faktin, pranë kërcënimeve të Serbisë, se ashpërsia dhe nervozizmi i shfaqur në reagimin e MPJ-së dhe të gjitha institucioneve shtetërore të Serbisë ndaj aktit të njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Kenia, vjen kryesisht si pasojë e situatës tejet të tendosur politike në Serbi, e cila ka katër muaj e më tepër që po ballafaqohet me protesta dhe bllokada rrugësh dhe qytetesh nga protestat e ashpra studentore, të cilat regjimit të çetnikut A. Vuçiq ia kanë lëkundur seriozisht këmbët. Ndaj edhe vjen një reagim i tillë për ta tërhequr, sado pak, vëmendjen e opinionit nga kriza e rënd politike që po vazhdon në Serbi.








