Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka përshëndetur arrestimin e 7 serbëve në Graçanicë, të dyshuar për ndikimin në vullnetin e lirë të votuesve.
Me këtë rast, Sveçla u zotua se, institucionet e Republikës së Kosovës do të veprojnë me vendosmëri ndaj çdo përpjekjeje për të frikësuar qytetarët dhe për të deformuar vullnetin e tyre politik.
“Akte të tilla, që targetojnë drejtpërdrejt qytetarët e komunitetit serb në Kosovë, burojnë nga direktiva të orkestruara nga Serbia, të cilat cenojnë pluralizmin politik dhe rendin demokratik në vendin tonë” shkroi ai.
Ky është postimi i plotë i tij:
Zgjedhjet në Kosovë ndonëse në disa raste janë imponuar nga bllokada të qëllimshme politike, vazhdojnë të vlerësohen në raportet ndërkombëtare për standardin e lartë të organizimit, integritetin e procesit dhe garantimin e shprehjes së lirë të vullnetit të qytetarëve.
Mirëpres veprimin e institucioneve të sigurisë për arrestimin e shtatë qytetarëve të nacionalitetit serb në Graçanicë, të cilët përmes kërcënimeve, presionit dhe shantazhit kanë tentuar të ndikojnë në vullnetin e lirë të votuesve.
Akte të tilla, që targetojnë drejtpërdrejt qytetarët e komunitetit serb në Kosovë, burojnë nga direktiva të orkestruara nga Serbia, të cilat cenojnë pluralizmin politik dhe rendin demokratik në vendin tonë.
Institucionet e Republikës së Kosovës do të veprojnë me vendosmëri ndaj çdo përpjekjeje për të frikësuar qytetarët dhe për të deformuar vullnetin e tyre politik, duke garantuar që procesi zgjedhor të mbetet i lirë dhe i paprekur nga ndërhyrje të jashtme.









