Ministri për Punë dhe Familje, Andin Hoti, ka pranuar raportin final për rastin e familjes së pesëvjeçarit nga Janjeva e Lipjanit, të trajtuar nga Qendra për Punë Sociale. Raporti është dorëzuar nga Inspektimi i Shërbimeve Sociale dhe Familjare.
Hoti për KosovaPress tha se raporti nxjerr përgjegjësi jo vetëm për QPS-në, por edhe për institucione të tjera, duke paralajmëruar masa ndëshkuese dhe disiplinore për të gjithë ata që kanë dështuar në trajtimin e rastit.
Ai paralajmëroi masa ndaj stafit të QPS-së në Lipjan dhe mundësinë e tërheqjes së licencave, nëse vërtetohet moszbatimi i obligimeve ligjore.
Sipas tij, rasti mbetet nën hetim nga Prokuroria dhe përgjegjësia është ndërinstitucionale, ndërsa po priten edhe verifikime shtesë nga Policia e Kosovës.
Hoti theksoi se “Një fëmijë sot është në spital, me gjymtyrë të dëmtuara, për faj të dikujt. Dikush duhet të marrë përgjegjësi”.









