Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pasditen e kësaj të shtune është takuar me Vjosa Osmanin.
Raportohet se takimi mes dy ish-partiakëve është realizuar për të diskutuar çështjen e zgjedhjes së presidentit të vendit dhe se në të nga LDK-ja ka qenë i pranishëm vetëm Abdixhiku.
Gjatë ditës, kreu i LDK-së i është drejtuar publikisht kryeministrit Albin Kurti lidhur me zhvillimet politike dhe mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet partive.
Në një postim në Facebook, Abdixhiku ka kërkuar nga Kurti që të sqarojë qëndrimin e tij nëse synon një marrëveshje politike me LDK-në apo nëse është i orientuar drejt sigurimit të 90 votave në bashkëpunim edhe me Partinë Demokratike të Kosovës.
Ai ka theksuar se, në rast se ekziston vullnet për bashkëpunim me LDK-në, atëherë duhet të hapet komunikimi i drejtpërdrejtë mes palëve.
Në këtë kontekst, Abdixhiku ka bërë të ditur se LDK-ja merr përgjegjësinë për propozimin e kandidatit për president, duke mos përjashtuar edhe emrin e Vjosa Osmanit, nëse sigurohen votat e nevojshme në Kuvend.









