Raporti i FMN-së përplas Bajramin dhe Muratin: Kur partia jote rrokulliste kamionë, rritja ekonomike ishte 5.9%, sot 3.9% dhe krekosesh

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, dhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, u përplasën pas lëvdatave që Murati bëri për raportin e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Murati shkroi se ky raport “dëshmon se politikat e Qeverisë Kurti funksionojnë dhe njëkohësisht demanton të gjithë ata që prognozonin të kundërtën”.

Pas kësaj, Bajrami reagoi duke theksuar se gjendja ekonomike në Kosovë ka qenë më e mirë në kohën kur Lëvizja Vetëvendosje hidhte gaz lotsjellës në Kuvend.

“Atëherë kur deputeti Murati me bashkëpartiakë rrokullisnin kamionë, gjuanin gaz lotsjellës në Kuvend dhe sulmonin institucionet me koktej molotovi, gjendja ekonomike ka qenë më e mirë sesa ajo që kemi sot”, shkroi Bajrami në Facebook.

Ajo shtoi se në atë periudhë, norma e inflacionit ishte pothuajse e pavërejtshme, ndërsa rritja ekonomike arrinte nivele më të larta.

“Në vitin 2015, rritja ekonomike ishte 5.9%, në vitin 2016 – 5.6%, dhe në vitin 2017 – 4.8%, sipas të dhënave të Bankës Botërore”, vijoi Bajrami.

Deputetja e LDK-së akuzoi Muratin se po shmang përmendjen e inflacionit të lartë në vend.

“Sot, Hekurani na qenka krekosur me një normë të rritjes 3.9% dhe paska thënë se këtë lajm duhet ta shohim të gjithë, por ajo që Hekurani nuk e përmend asnjëherë është inflacioni i lartë – norma e inflacionit në shtator ishte 4.7%”, shtoi ajo.

Raporti i fundit i FMN-së rreth Perspektivës Ekonomike Botërore tregon se Kosova mund të jetë projekti më premtues ekonomik në Ballkanin Perëndimor. Sipas raportit, vendi pritet të ketë rritjen më të lartë ekonomike dhe inflacionin më të ulët në rajon gjatë periudhës 2025-2030.

FMN parashikon që Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) të ketë rritje prej 3.9% në vitin 2025, të arrijë 4.0% në vitin 2026 dhe të ruajë një normë të lartë rritjeje prej 3.5% deri në vitin 2030, duke e pozicionuar Kosovën në vendin e parë midis gjashtë ekonomive në zhvillim të Ballkanit Perëndimor.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit