Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka shpenzuar gjithsej 212 mijë e 394 euro përgjatë tre muajve të tretë të vitit 2026 (korrik, gusht, shtator). Kështu bëhet e ditur në raportin financiar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Sipas të dhënave zyrtare, nga buxheti i përgjithshëm prej 225 mijë e 600 eurosh i paraparë për këtë periudhë, kjo parti ka arritur të kursejë mbi 13 mijë euro.
Pjesa më e madhe e mjeteve financiare është derdhur për pagat e stafit dhe kontributet përkatëse. Vetëm për këtë kategori PDK ka shpenzuar 122 mijë e 30 euro, ku përfshihen pagat neto për punëtorët në vlerë prej 105 mijë eurosh.
Sa u përket mallrave dhe shërbimeve, subjekti politik ka shpenzuar mbi 73 mijë euro. Në këtë kategori, pjesën më të madhe e përbëjnë shërbimet e tjera kontraktuese (jo-marketing) me 36 mijë e 475 euro, të ndjekura nga pagesat e qirasë për ndërtesa me mbi 13 mijë e 800 euro, si dhe shpenzimet e marketingut me 12 mijë e 826 euro. Po ashtu, për dreka zyrtare dhe avanca PDK ka shpenzuar 2 mijë e 340 euro, ndërsa për shpenzime përfaqësimi 2 mijë e 375 euro.
Ndër të tjera, në raportin financiar figuron edhe një blerje e veturës në vlerë prej 10 mijë eurosh në kuadër të shpenzimeve të ndryshme, si dhe 1 mijë e 750 euro të ndara për shpenzime kapitale, përkatësisht për pajisje teknologjike (kompjutera, printerë dhe aparate fotokopjuese).
Gjatë kësaj periudhe tre mujore, PDK ka regjistruar edhe 5 mijë e 500 euro të hyra nga donacionet dhe kontributet në të holla nga pesë individë të ndryshëm.
Për më shumë klikoni KËTU:










