Në komunikimin e tij të përjavshëm në podcast-in “Flasim”, Kryeministri Edi Rama ka ndarë detaje nga vizita e fundit në Prishtinë, të cilën e cilësoi si tejet të veçantë për shkak të kontekstit politik dhe simbolik në të cilin u zhvillua.
Vizita përkoi me vigjiljen e Ditës së Pavarësisë së Kosovës dhe erdhi në një moment të ndjeshëm, pas zhvillimeve të fundit nga Prokuroria e Hagës dhe pas votëbesimit të qeverisë së re në Kuvendin e Kosovës.
Rama ndau gjithashtu edhe emocionet e telefonatës së përvitshme të urimit për Pavarësinë e Kosovës, që këtë herë e mori nga Haga. Ai tregoi se biseda me Hashim Thaçi, të cilin e quajti “Komandanti”, ishte veçanërisht prekëse, duke theksuar qetësinë dhe bindjen e këtij të fundit, pavarësisht situatës. Sipas Ramës, Thaçi e mbylli bisedën me fjalët: “Unë e kam fituar përjetë lirinë dhe kudo të ndodhem, atë nuk ma merr dot kurrë, askush!”.
“Shumë e veçantë ka qenë vizita e kësaj here në Prishtinë, në vigjiljen e ditës kombëtare të pavarësisë së Kosovës, pas bombës së prokurorëve të Hagës mbi Kosovën, si edhe po ashtu pas votëbesimit të qeverisë së re të Kosovës në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Sebepi i kësaj vizite ishte ftesa e një miku të kahershëm dhe burri fisnik nga Prishtina profesor Ahmed Shalës, në promovimin e librit të tij “Kur heshtja flet”, një libër që duhet lexuar për të mësuar më shumë dhe kuptuar më thellë mbi procesin në Hagë kundër udhëheqjes së UÇK-së.
Por takimet me Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti ishin tejet pozitive, qoftë për nga këndvështrimi i harmonizimit të angazhimeve ndërkombëtare me Vjosën, qoftë për nga këndvështrimi i rritjes së bashkëpunimeve kombëtare me Albinin.
Qershia mbi tortë ishte bashkëbisedimi me studentët e Universitetit “Hasan Prishtina” dhe me nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri”, të cilët i ftova me shumë kënaqësi në Tiranë për të vazhduar komunikimin tone të filluar më herët.
Ndërsa të nesërmen, më 17 të shkurtit, telefonata e përvitshme e urimit të pavarësisë që marr nga Haga ishte posaçërisht emocionuese këtë herë, pas asaj çmendurie të prokurorisë speciale. Por zëri i Komandantit nga burgu i padrejtësisë ndërkombëtare ishte realisht, sinqerisht, më i qetë se asnjëherë. Në fillim e në fund të bisedës, Hashimi më përsëriti fjalinë: “Unë e kam fituar përjetë lirinë dhe kudo të ndodhem, atë nuk ma merr dot kurrë, askush!”, tha kryeministri Rama.









