Kryetari i Prishtinë, Përparim Rama, ka folur në një konferencë për media lidhur me mos-përfshirjen e buxhetit të kryeqytetit në Projektligjin për Buxhetin e Kosovës, duke e cilësuar këtë si një cenim të rendit kushtetues dhe jo si neglizhencë administrative.
Sipas tij, përjashtimi është bërë pa asnjë bazë ligjore.
“Më 6 shkurt të vitit 2026, Kuvendi i Kryeqytetit e ka miratuar buxhetin e komunës së Prishtinës për vitin 2026. Po atë ditë, brenda afateve ligjore, ky buxhet i miratuar është dërguar te Ministria e Administrimit Publik Lokal dhe te Ministria e Financave, por nuk është përfshirë në projektligjin për ndarjet buxhetore të Republikës së Kosovës, i cili tashmë ndodhet në procedurë parlamentare. Këtë e kanë bërë pa asnjë arsyetim dhe pa asnjë bazë ligjore. Kjo nuk është neglizhencë administrative, por cenim i drejtpërdrejtë i rendit kushtetues. Buxheti i komunës së Prishtinës është i vetmi dokument financiar që i jep Kryeqytetit fuqinë për të ushtruar kompetencat e tij kushtetuese dhe çdo ndërhyrje apo përjashtim arbitrar është shkelje flagrante e autonomisë lokale dhe e ligjeve për financat publike. Këto pasoja nuk janë vetëm teorike, por edhe reale e të menjëhershme. Si rezultat, bllokohen shërbimet publike për qytetarët, ndalen projektet kapitale dhe paralizohet funksionimi institucional i Kryeqytetit. Askush nuk ka të drejtë ta marrë peng Kryeqytetin”, ka deklaruar Rama.
Rama shtoi se është kërkuar reagim edhe nga Ministria e Financave, duke paralajmëruar se Ligji do të dërgohet në Gjykata Kushtetuese nëse miratohet pa buxhetin e kryeqytetit.
“Ju kemi drejtuar edhe Ministrisë së Financave me kërkesë të qartë që të korigjojë menjëherë këtë shkelje dhe të jap përgjigje brenda afatit ligjor. Nëse Ligji miratohet duke injoru buxhetin e Kryqytetit atëherë ky ligj do të dërgohet në Gjykatën Kushtetutese”, tha Rama.












