Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar për fillimin e një bashkëpunimi të ri politik në Kryeqytet me Partinë Demokratike të Kosovës, me synim zhvillimin e qytetit dhe realizimin e projekteve në dobi të qytetarëve.
Në një deklaratë publike, Rama ka theksuar se marrëveshja synon një qeverisje që, sipas tij, tejkalon interesat partiake dhe fokusohet në përdorimin e kapaciteteve profesionale për projekte strategjike në Kryeqytet.
“Po fillojmë një bashkëpunim të ri politik në Kryeqytet edhe me Partinë Demokratike të Kosovës me qëllim zhvillimin e Prishtinës, për të mirën e qytetarëve të saj dhe të Kosovës,” ka deklaruar Rama.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, Besianë Musmurati është emëruar Nënkryetare e Kryeqytetit. Ajo vjen në këtë pozitë me përvojë në fusha të ndryshme institucionale dhe ndërkombëtare, përfshirë diplomacinë dhe politikat publike.
Rama ka vlerësuar angazhimin e saj mbi një dekadë në institucionet vendore dhe ndërkombëtare, duke theksuar kontributin në proceset vendimmarrëse dhe përfaqësimin e Kosovës jashtë vendit.
Ai po ashtu ka përmendur edhe angazhimin e Musmuratit në fushën e arsimit në Prishtinë, duke thënë se ajo ka kontribuar në përmirësimin e kushteve për nxënësit dhe mësimdhënësit.
Në fund të deklaratës, kryetari i Prishtinës i ka uruar suksese në detyrën e re, duke theksuar se bashkëpunimi i ri do të jetë në shërbim të qytetarëve të Kryeqytetit.









