Një vendim i fortë nga autoritetet britanike ka vënë në qendër të vëmendjes reperin e njohur amerikan Kanye West, i cili nuk do të lejohet të udhëtojë drejt Mbretërisë së Bashkuar. Refuzimi vjen në një moment delikat, vetëm pak kohë pasi u përfshi në listën e artistëve kryesorë për të performuar në Wireless Festival, një nga eventet më të mëdha muzikore që mbahet çdo verë në Londër.
Sipas informacioneve zyrtare, Home Office ka konfirmuar për BBC se artisti kishte aplikuar për të hyrë në vend përmes një Autorizimi Elektronik të Udhëtimit (ETA), por kërkesa e tij është refuzuar. Arsyeja kryesore e këtij vendimi lidhet me faktin se prania e tij në territorin britanik nuk konsiderohet në përputhje me interesin publik.
Ky vendim nuk vjen rastësisht. Prej disa vitesh, Kanye West, i cili tashmë njihet edhe me emrin Ye – ka qenë në qendër të kritikave të ashpra për deklarata të cilat janë konsideruar si antisemite, raciste dhe madje pro-naziste. Këto komente kanë shkaktuar reagime të forta jo vetëm nga publiku, por edhe nga organizata dhe institucione të ndryshme ndërkombëtare.
Polemikat u intensifikuan edhe më shumë pas shpalljes së tij si një nga artistët kryesorë të Wireless Festival, duke nxitur reagime të shumta nga komunitete dhe figura publike në Mbretërinë e Bashkuar.
Vetë artisti reagoi gjatë ditës së martë, duke shprehur gatishmërinë për dialog. Në një deklaratë, ai tha se “do të ishte mirënjohës” të takohej me anëtarë të komunitetit hebre në Britani, duke theksuar se ka ndjekur me vëmendje debatet që janë zhvilluar rreth pjesëmarrjes së tij në festival. Ye u shpreh i hapur për një takim personal “për të dëgjuar” shqetësimet e tyre.
Nga ana tjetër, Board of Deputies of British Jews reagoi duke deklaruar se është i gatshëm të zhvillojë një takim me reperin, por vendosi një kusht të qartë: tërheqjen e tij nga performancat e planifikuara në Wireless Festival.
Ndërkohë, mbetet e paqartë se si do të ndikojë ky zhvillim në organizimin e festivalit dhe në line-up-in e artistëve, ndërsa çështja vazhdon të gjenerojë debat të gjerë në opinionin publik dhe industrinë muzikore.









