Gazetari Nehat Shaqiri ka reaguar përmes një postimi në Facebook, ku ka komentuar zhvillimet e fundit politike, duke u ndalur veçanërisht te deklaratat kontradiktore të disa eksponentëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Ai ka theksuar paradoksin që, sipas tij, disa prej deputetëve të kësaj partie që dikur ishin ndër më të zëshmit për krijimin e Gjykatës Speciale, sot po akuzojnë politikanë të tjerë për lidhje me të njëjtën gjykatë.
“Është paradoksale që disa eksponentë dhe deputetë të PDK-së që dikur ishin në vijën e parë për ta votuar dhe mbështetur krijimin e Gjykatës Speciale, sot dalin me tone të ashpra duke akuzuar politikanë të tjerë si ‘të lidhur me këtë gjykatë’”, shkruan Shaqiri.
Sipas tij, kjo është një përpjekje për të shmangur përgjegjësinë historike të PDK-së për këtë proces, ndërsa fjalimi i fundit i Kryeministrit Albin Kurti, ndonëse me kritika, u ka “trazuar skemën”.
“Me gjasë ua zbeh shpresat për një bashkëqeverisje që shumë prej tyre e kanë ëndërruar më shumë si mburojë sesa si projekt shtetformues”, thekson ai, duke shtuar me ironi: “Qeveria bëhet, veç edhe do numra i duhen Kurtit! 😀”.
Shaqiri e ka mbyllur reagimin e tij me një mesazh simbolik: “Duket se nuk është sezona e ‘koalicioneve të shpëtimit personal’!”, duke nënkuptuar se vendi nuk ka nevojë për aleanca të ndërtuara mbi interesa individuale.








