Kandidati i PDK-së kërkonte anulimin e fletëvotimeve të pranuara pas afatit ligjor të 29 dhjetorit.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e ka hedhur si të pasafatshme ankesën e kandidatit për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, i cili kërkonte anulimin e fletëvotimeve të pranuara me postë pas datës 29 dhjetor 2025.
Konkretisht, ankesa kishte të bënte me fletëvotimet e pranuara më 2 dhe 5 janar 2026, për zgjedhjet e parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor 2025.
Në një postim në Facebook më 11 janar 2026, Haxhiu kishte shkruar se sipas ligjit, votat me postë duhej të pranoheshin më së largu deri më 29 dhjetor 2025, ora 16:00.
“Megjithatë, KQZ ka pranuar dhe numëruar mbi 23 mijë vota të ardhura pas këtij afati ligjor. Kjo nuk është çështje teknike, por shkelje e drejtpërdrejtë e ligjit”, ka shkruar Haxhiu, duke pretenduar se po rrezikohet integriteti i procesit zgjedhor.
Ai ka theksuar se ligji nuk mund të ndryshohet me vendime administrative dhe se afatet zgjedhore nuk janë rekomandime, por garanci për barazinë e votës dhe besueshmërinë e procesit.
“Kur numërohen vota jashtë afatit, procesi rihapet në mënyrë arbitrare dhe rezultati deformohet”, ka shtuar ai.
Haxhiu, i cili humbi ulësen në Kuvendin e Kosovës pasi PDK-ja humbi një mandat gjatë numërimit të votave me postë, ka deklaruar se kjo paligjshmëri ka prodhuar pasoja të drejtpërdrejta në rezultatin zgjedhor.









