Rusia i ka thënë vazhdimisht Izraelit se Irani nuk ka ndërmend të pajiset me armë bërthamore, tha presidenti rus, Vladimir Putin në një intervistë me SkyNews Arabia.
Në të njëjtën intervistë, presidenti rus përsëriti, sipas agjencisë turke të lajmeve Anadolu, se Moska kundërshton përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë dhe perspektivën e Iranit për të patur armë të tilla.
Megjithatë, Rusia mbështet të drejtën e Iranit për të zhvilluar energji bërthamore për qëllime paqësore, shtoi Putin, duke theksuar se Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) nuk ka gjetur prova se Teherani kërkon të ndërtojë armë bërthamore.
“Fetvaja në Iran, e cila ndalon armët bërthamore, është me rëndësi të madhe”, shtoi presidenti rus. Putin tha gjithashtu se Rusia është e gatshme të ndihmojë Iranin të zhvillojë programin e tij bërthamor civil.
Ndërkohë Donald Trump bëri të ditur se afati prej dy javësh që ka vendosur për të marrë një vendim lidhur me përfshirjen ushtarake të SHBA-së në Iran është “maksimumi” i kohës që do të presë dhe se mund ta marrë vendimin edhe më herët.
“Po u jap një periudhë kohe. Do të shohim se sa do të zgjasë ajo periudhë. Por po u jap një periudhë kohe, dhe do të thosha se dy javë do të ishte maksimumi”, u tha Trump gazetarëve në Nju Xhersi.
Kjo është hera e parë që presidenti komenton publikisht mbi afatin e vetëcaktuar që përfaqësuesja e tij për mediat lexoi dje gjatë një deklarate për shtyp, duke e vendosur atë si një dritare për zgjidhje diplomatike. Megjithatë, Trump sugjeroi se nuk po e shqyrton mundësinë e përdorimit të trupave tokësore të SHBA-së ndërsa analizon mundësinë e një sulmi ndaj objekteve bërthamore iraniane.
“Nuk do të flas për trupa tokësore. Gjëja e fundit që dëshironi janë trupat tokësore,” tha ai kur u pyet nëse kjo ishte një mundësi.
Ai gjithashtu dukej se sugjeronte që nuk beson se Izraeli ka kapacitetin për të shkatërruar të gjitha objektet bërthamore të Iranit vetë: “Ata realisht kanë një kapacitet shumë të kufizuar. Mund të depërtojnë në një pjesë të vogël, por nuk mund të shkojnë shumë thellë. Nuk e kanë atë kapacitet. Dhe do të shohim çfarë do të ndodhë. Ndoshta nuk do të jetë e nevojshme”.








