Presidenti rus Vladimir Putin vizitoi Spitalin Qendror Ushtarak të Ministrisë së Mbrojtjes në Moskë, ku takoi ushtarë të plagosur dhe të rehabilituar.
Gjatë vizitës, ai u shpreh se situata në zonën e Operacionit Ushtarak Special po evoluon në favor të Rusisë, duke deklaruar se trupat ukrainase janë bllokuar dhe rrethuar në Kupiansk dhe Krasnoarmejsk.
Ai theksoi se forcat ruse po avancojnë në të gjitha frontet dhe ftoi gazetarët ndërkombëtarë dhe ukrainas që të shohin nga afër situatën, për të kuptuar “rrethimin e trupave ukrainase dhe vendimet që udhëheqja e Kievit duhet të marrë për qytetarët dhe ushtarët e saj”.
Kjo ishte hera e parë që presidenti rus diskutoi kaq hapur për zhvillimet në vijën e frontit, ndërsa ditët e fundit raportimet për situatën në Ukrainë kanë qenë kontradiktore dhe të pasigurta.
Reagimi ukrainas ishte i menjëhershëm: komanda ushtarake e Kievit e quajti “fantazi” pretendimin e Putinit për rrethimin e Kupianskut. Megjithatë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pranoi se situata është e ndërlikuar në ato zona, por theksoi se Ukraina vazhdon të mbrojë pozicionet e saj. Ai shtoi se Rusia nuk ka arritur të realizojë objektivat e saj dhe se Kremlini po përpiqet të bindë Shtetet e Bashkuara se forcat ruse janë në gjendje të marrin të gjithë Donbasin.
Gjatë vizitës, Putin njoftoi gjithashtu testimin e një arme të re bërthamore, mjetin nëndetar pa pilot Poseidon, i pajisur me motor bërthamor dhe fuqinë që sipas tij tejkalon raketën ndërkontinentale Sarmat. Ai deklaroi se arma nuk është ende në shërbim, por do të jetë shumë shpejt. Ky njoftim vjen pak ditë pas prezantimit të raketës Burevestnik.
Nga ana tjetër, disa rajone të Rusisë po përballen me reduktime të ndjeshme të pagave për ushtarët. Pagesa njëherëshe që ushtarët marrin kur nënshkruajnë kontratën me Ministrinë e Mbrojtjes është ulur, veçanërisht kontributi rajonal.
Ulja më e madhe është regjistruar në oblastin e Samaras, ku bonusi ra nga 3,6 milionë në 400 mijë rubla, pra nëntë herë më pak. Ish-presidenti Dmitry Medvedev e justifikoi këtë me numrin e lartë të rekrutimeve gjatë vitit 2025 (mbi 345 mijë ushtarë), ndërsa ekspertë të pavarur sugjerojnë se ulja lidhet me mungesën e fondeve.
Pamja e posterit pas Putinit me mbishkrimin “Për atdheun” dhe fotografia historike e vitit 1945, ku një ushtar i Ushtrisë së Kuqe ngre flamurin mbi Reichstagun, duket se simbolizon përpjekjen e Kremlinit për të lidhur fitoren historike me luftën aktuale në Ukrainë.








