Lideri i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, i mbijetoi sulmit izraelit të 28 shkurtit vetëm pak minuta para se raketat të godisnin kompleksin ku ndodhej, sipas një audioje të publikuar nga gazeta britanike The Telegraph.
Sipas raportimit, audioja – e verifikuar në mënyrë të pavarur nga gazeta – përmban një fjalim të Mazaher Hosseini, shef i protokollit në zyrën e Ali Khameneit, drejtuar klerikëve të lartë dhe komandantëve të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) gjatë një takimi më 12 mars.
Në regjistrim thuhet se Mojtaba Khamenei kishte dalë për pak çaste jashtë ndërtesës “për të bërë diçka”, kur raketat balistike izraelite Blue Sparrow goditën kompleksin në Teheran.
Sipas Hosseinit, ai pësoi vetëm një plagë të lehtë në këmbë, ndërsa bashkëshortja dhe djali i tij u vranë menjëherë, ndërsa kunati i tij humbi jetën gjatë shpërthimit.
Kompleksi ku ndodhi sulmi shërbente si rezidencë e Ali Khameneit dhe familjes së tij, si dhe përfshinte një sallë fetare ku lideri suprem mbante fjalime dhe shtëpitë e disa anëtarëve të familjes.
Sulmi izraelit i 28 shkurtit vrau një pjesë të madhe të drejtuesve iranianë, përfshirë Ali Khamenei, shefin e Gardës Revolucionare Mohammad Pakpour dhe ministrin iranian të Mbrojtjes Aziz Nasirzadeh.
Në audio thuhet gjithashtu se Mohammad Shirazi, drejtues i zyrës ushtarake të liderit suprem, u vra gjatë sulmit dhe se trupi i tij u shkatërrua nga shpërthimet.
Sipas Hosseinit, raketat goditën disa objektiva brenda kompleksit në të njëjtën kohë, duke sugjeruar se sulmi synonte eliminimin e të gjithë familjes Khamenei dhe drejtuesve kryesorë të strukturave të pushtetit.
Që nga sulmi dhe zgjedhja e tij si lider suprem, Mojtaba Khamenei nuk është shfaqur publikisht. Mesazhi i tij i vetëm drejtuar popullit iranian është transmetuar përmes një deklarate të shkruar në televizionin shtetëror.
Mungesa e paraqitjeve publike ka nxitur spekulime mbi gjendjen e tij shëndetësore, ndërsa disa vlerësime të shërbimeve amerikane të inteligjencës kanë ngritur pikëpyetje mbi aftësinë e tij për të udhëhequr vendin.









