Janë bërë publike së fundmi pamjet nga arrestimi i këngëtarit të njohur Justin Timberlake, i cili u vu në pranga në vitin 2024 pasi u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur.
Edhe pse vetë artisti kishte kërkuar që këto pamje të mos publikoheshin, një vendim gjykate lejoi shpërndarjen e tyre. Videoja, e cila tashmë është bërë virale në rrjetet sociale, hedh dritë mbi ngjarjen e ndodhur në New York City.
Në pamje, Timberlake ndalohet nga policia pasi dyshohet se ka dalë nga korsia e tij gjatë drejtimit të automjetit. Gjatë komunikimit me oficerët, ai dëgjohet duke thënë: “Jam në një turne botëror… Unë jam Justin Timberlake”, ndërsa më pas i kërkohet të kryejë testet standarde për të verifikuar gjendjen e tij.
Sipas raportit policor, ai shfaqte shenja të qarta të konsumimit të alkoolit, përfshirë sy të skuqur dhe vështirësi në ndjekjen e udhëzimeve gjatë testit të ecjes në vijë të drejtë. Artisti pranoi se kishte konsumuar një pije alkoolike dhe refuzoi të kryente testin e alkotestit.
Ngjarja, e ndodhur në qershor të vitit 2024, e përballi atë me disa akuza, përfshirë drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit, shkelje të shenjës së ndalimit dhe mosrespektim të korsisë. Megjithatë, tre muaj më vonë, këngëtari u deklarua fajtor për një akuzë më të lehtë.
Si pasojë, ai u gjobit me 500 dollarë dhe u urdhërua të kryente 25 deri në 40 orë shërbim komunitar.
Publikimi i videos vjen pasi artisti hoqi dorë nga kundërshtimi ligjor, duke pranuar se pamjet nuk përbëjnë shkelje të pajustifikuar të privatësisë së tij.









