Tre veprimtarët e shquar të çështjes kombëtare, që veprimtarinë e zhvilluan të pandarë nga njëri tjetri – Jusuf e Bardhosh Gërvalla, si dhe Kadri Zeka, nuk ishin rivarrosur në të njëjtin vend.
Për këtë ka folur Zenun Pajaziti, ish-deputet i PDK-së dhe nipi i Kadri Zekës.
“Kjo ka qenë një periudhë e një mërzie të madhe edhe për familjen sepse pjesa dërrmuese e familjes nuk kish arritë me shku në varrimin që ishte ba më 1982 në Shtutgart të Gjermanisë dhe rivarrimi ishte një emocion tjetër. Dorën në zemër na fillum t’i kemi disa institucione tonat. Ne as nuk e kishim mendu fare që do të ndodhte një varrim ndryshe. Fare. Po ta them me bindje të plotë por edhe sigurinë më të madhe se po flas në emër të krejt familjes”, ka thënë Pajaziti.
Sipas Pajazitit, atij i ishte thënë se familja e Jusufit dhe Bardhoshit, kishin vendosur t’i varrosnin vëllezërit në Dubovik të Deçanit.
“Kishim mendu që rivarrimi do të jetë një ceremoni dhe kudo që të vendosin insitucionet ne do të ishim dakord. Pastaj doli që jo nuk duhet sepse thanë që familja e Jusufit dhe Bardhit po donë t’i varrosin atje, në Dubovik. Ne provuam që të bëjmë diçka, bile të provojmë këtu. Baba im ishte atje në Gjermani, në atë procedurën e zhvarrosjes që ndodhi atje. I kaloi 10 ditë për këto procedura”, tha Pajaziti.
Ai kishte shkuar të bisedonte për këtë çështje edhe me Nexhat Dacin, atëherë kryeparlamentar i Kosovës, por pa arritur të bënte gjë.
“Unë shkova te Nexhat Daci kërkova të takohem me të, ishte kryetar i Kuvendit. Shkova në shtëpinë e tij. Me mu më duket ka qenë Basri Musmurati. Shkojmë dhe i themi, të lutem bëj diçka. Kanë nejt 20 vjet bashkë në varr, janë vra bashkë, Daci tha nuk mund të ndikoj, tha se është kërkesë e familjes dhe nuk mund të ndikoj”, tha Pajaziti.






