Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot rezolutën e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës në mbështetje të krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, me 90 vota për, një kundër dhe asnjë abstenim. Megjithatë, miratimi i saj u parapri nga një përplasje e ashpër mes dy partive kryesore opozitare.
Ndonëse rezoluta kaloi me 90 vota, grupi parlamentar i LDK-së refuzoi të merrte pjesë në votim, pasi propozimi i tyre për plotësimin e tekstit u hodh poshtë.
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, deklaroi nga foltorja se partia e saj ishte pajtuar që rezoluta të futej në rend dite, por jo edhe me përmbajtjen aktuale të saj.
LDK kushtëzoi votën e saj me përfshirjen e një pike që kërkon drejtësi për vrasjet politike të ndodhura në Kosovë.
Nga ana tjetër, Përparim Gruda i PDK-së, u përgjigj prerazi se teksti i rezolutës nuk mund të ndryshohej në këtë fazë. Ai shtoi se dokumenti është hartuar me kujdes nga një grup ekspertësh dhe duhet të votohej ashtu siç ishte propozuar.
Pasi propozimi i tyre nuk u mor parasysh, deputetët e LDK-së që ishin të pranishëm në sallë vendosën të mos merrnin pjesë fare në procesin e votimit, duke bërë që rezoluta të kalonte vetëm me votat e partive të tjera.










