Profesori dhe analisti politik, Nexhmedin Spahiu ka përdorur fyerjet dhe diskreditimin e Adem Jasharit e familjes së tij për të mbetur gjallë në hapësirën publike e mediatike të Kosovës. Njeriu që shtrëngoi duart me Marko Gjuriqin muaj më parë, këtë javë preku ekstremet kur tha se në varrezat e të rënëve në Prekaz të mos jetë flamuri “kuqezi” por “verdhekaltër”.
Profesori i shkencave politike dhe analisti politik, Nexhmedin Spahiu vazhdimisht e ka përdorur figurën e komandantit legjendar Adem Jashari në përpëlitjet e tij për mbijetesë në hapësirën publike në Kosovë.
Spahiu e ka përdorur figurën e Adem Jasharit që sakrifikoi veten dhe familjen e tij për lirinë e Kosovës, për arsyetime personale e provokime publike. Ka shkuar në një pikë sa ka krahasuar edhe veten me figurën e Adem Jasharit. Këtë e ka bërë në një vizitë në Beograd.
Profesori i shkencave politike ka përdorur figurën më të shenjtë të rezistencës së Kosovës në mjet retorik për vëmendje dhe legjitimitet të rremë të qëndrimeve të tij. Krejt këtë, në përpjekje për të degraduar publikisht një figurë që përfaqëson themelet e historisë së shtetit të Kosovës.
Të martën në emisionin T7, Spahiu përmendi emrin e Murat Jasharit si variant rezervë për postin e presidentit në rast se Vjosa Osmani dështon të marrë votat për mandatin e saj të dytë.
Spahiu tha se Murat Jashari fillimisht do të duhej të merrte “aprovimin amerikan” dhe të distancohej nga simbolika e flamurit kuqezi, duke theksuar se në varrezat e familjes Jashari duhet të valojë flamuri i Kosovës.
“Albini ka edhe variante rezervë, e ka për shembull Murat Jasharin, mirëpo Murati për me u zgjedh president duhet me marrë një leje amerikane siç e ka marrë Albin Kurti para se me u bë kryeministër, kushti që e ka pas Albin Kurti nga kuq e zi me kalu në verdh e kaltër, edhe Murat Jashari për me u bë president duhet me kalu verdh e kaltërt, jo në varreza të kryeheronjëve të Kosovës valon flamuri i Shqipërisë, jo i Kosovës”, tha Spahiu.
Mirëpo ky qëndrim i Spahiut ndaj familjes Jashari nuk është i fundit. Në majin e vitit 2025, kishte marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare në Beograd, gjatë të cilës kishte shkrepur një fotografi me ministrin serb për Kosovën, Marko Gjuriqin, i cili vazhdon të mohojë shtetin e Kosovës, si krejt pushteti i Aleksandar Vuçiqit.
Shkuarjen në tij në Beograd, Spahiu e kishte krahasuar me luftën që ka bërë Adem Jashari. Këtë e kishte bërë gjatë një interviste televizive kur ishte pyetur se përse e kishte takuar Gjuriqin.
“Të pyesësh “pse u takova”, është njësoj si të pyesësh Adem Jasharin “pse luftove, pse sakrifikove për Kosovën, çfarë të shtyu?” Thjesht motivi patriotik, vullneti për të kontribuar për Kosovën dhe për atë që i duhet më së shumti në këtë moment Kosovës”, kishte thënë analisti politik.
Sipas Spahiut, qëllimi i këtij takimi nuk ishte personal apo i motivuar nga interesa të ngushta politike, por nga dëshira për të shtyrë përpara dialogun dhe për të ndihmuar në zgjidhjen e çështjeve të ndjeshme që vazhdojnë të rëndojnë raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Megjithatë këtu nuk ndalet Spahiu. Në vitin 2018 kishte vënë në dyshim edhe ditëlindjen e Adem Jasharit. Kishte akuzuar për falsifikim dokumentesh, duke pretenduar se Adem Jashari nuk kishte lindur më 28 nëntor, por më 10 tetor 1955.
“Kam shumë dokumente të cilat tregojnë datën e saktë. Po që nga pas lufta në ato dokumentet kanë bërë ndryshime si kanë dashur. Ai dokumenti i vdekjes nuk është një dokument relevant, kurse dokumenti i Gjykatës është i falsifikuar, po shihet se është e ndryshuar me fotoshop, sepse nuk janë fontet njësoj, me makinë shkrimin nuk mundesh me shkru me fonte të ndryshme dhe numrat që janë të shënuar aty, ditëlindja e Ademit dhe numrat më poshtë në të njëjtin vendim të Gjykatës shihet se nuk janë njësoj”, ka thënë Spahiu
Këto pretendime të rrejshme të Spahiut e kishin nxitur Bekim Jasharin, nipin e Adem Jasharit që të publikonte certifikatën e vdekjes së Adem Jasharit. Në këtë certifikatë figuronte data e lindjes: 28.11.1955.
Jashari kishte shkruar në llogarinë e tij në Facebook se posedon dokumente me vulë institucionale për ditëlindjen e Adem Jasharit.
“Unë po e sjell një dokument që ka emër e mbiemër, vulë të institucionit, ka shënime dhe të dhëna, që mund t’i shërbejnë “ideatorin e kombit kosovar”, për t’u bindur se “të hëngrit” e mashtrimeve të kujtdo qofshin ato, i takojnë atij që i injoron faktet, e që në vend të tyre, ushqehet me të pavërteta”, kishte shkruar Jashari.
Një profesor i shkencave politike, ka përgjegjësi publike. Liria e shprehjes nuk e përjashton përgjegjësinë morale dhe akademike. Adem Jashari nuk është figurë neutrale studimore që mund të trajtohet me cinizëm, as subjekt për eksperimentim retorik. Ai është themel i palëkundur i shtetit të Kosovës.










