Një tjetër incident shqetësues është raportuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku një mjek ka sulmuar fizikisht një koleg të tij në Klinikën e Urologjisë.
Lajmin e bëri të ditur gazetari i shëndetësisë, Bujar Vitija, i cili në një postim në Facebook shkroi se përleshja ndodhi për shkak të një mosmarrëveshjeje rreth programit të operacioneve.
“Një mjek e ka sulmu një koleg të tij në Klinikën e Urologjisë. Gjithçka ka ndodh për një mosmarrëveshje rreth programit të operacioneve. ‘Pse ma ke qit operacionin në filan ditën’ – e ka sha dhe e ka godit me grusht,” shkroi Vitija.
Ai tha se kjo nuk është hera e parë që ndodhin sulme mes mjekëve në QKUK dhe kërkoi që menaxhmenti të ndërmarrë masa të menjëhershme për të parandaluar dhunën në këtë institucion.
“Meqë këtyre mjekëve s’po ju vjen marre e po rrehen, QKUK ish dashtë me marrë masa një herë e mirë me i parandalu këto raste. Dhuna nuk guxon me qenë e pranishme askund, e aq më pak në një institucion shëndetësor,” tha ai.
Deri më tani, QKUK nuk ka dalë me ndonjë reagim zyrtar lidhur me incidentin.






