Ndërsa përpjekjet e fundit të Donald Trump për të përfunduar luftën në Ukrainë vazhdojnë, Europa po përballet me frikën se çdo marrëveshje eventuale mund të mos ndëshkojë ose dobësojë Rusinë, duke rritur rrezikun për sigurinë e kontinentit.
Sipas diplomatëve europianë, kontinentit mund t’i duhet të pranojë një partneritet ekonomik gjithnjë e më të ngushtë midis Uashingtonit, mbrojtësit të saj tradicional në NATO, dhe Moskës, që shumë qeveri europiane, si dhe vetë NATO, e konsiderojnë kërcënimin më të madh për sigurinë europiane.
Edhe pse Ukraina dhe vendet e tjera europiane kanë arritur të pengojnë pjesë të një plani 28-pikësh të SHBA-ve, i cili shihej si i favorshëm ndaj Rusisë, çdo marrëveshje pritet të mbajë rreziqe të konsiderueshme për kontinentin. Megjithatë, aftësia e Europës për të influencuar kushtet e një marrëveshjeje është e kufizuar, kryesisht për shkak të mungesës së fuqisë ushtarake për të diktuar termat.
Europa nuk pati përfaqësues në bisedimet midis zyrtarëve amerikanë dhe ukrainas në Florida gjatë fundjavës dhe do të jetë thjesht spektatore kur i dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, takohet me presidentin rus Vladimir Putin të martën.
“Kam përshtypjen se ngadalë po kuptohet se një ditë do të ketë një marrëveshje të shëmtuar. Trump dëshiron qartë një marrëveshje. Ajo që është e pakëndshme për europianët është se ai dëshiron një marrëveshje sipas logjikës së superfuqive: ‘Ne jemi SHBA, ata janë Rusia, ne jemi fuqitë e mëdha’”,tha Luuk van Middelaar, drejtori themelues i Brussels Institute for Geopolitics.
SHBA siguron pjesëmarrjen e Europës, por frika mbetet
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se europianët do të jenë të përfshirë në diskutime mbi rolin e NATO-s dhe BE-së në çdo marrëveshje paqeje. Megjithatë, diplomatët europianë shprehin pak rehati nga këto premtime, duke vënë në dukje se çdo marrëveshje do të ndikonte në Evropë, nga lëshimet territoriale potenciale deri tek bashkëpunimi ekonomik SHBA-Rusi.
Kjo nismë e fundit ka shtuar shqetësimet për angazhimin amerikan ndaj NATO-s, duke përfshirë mbulim bërthamor, sisteme të ndryshme armësh dhe dhjetëra mijëra trupa. Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, deklaroi javën e kaluar se europianët nuk e dinë më “cilat aleanca do të jenë të besueshme në të ardhmen dhe cilat do të jenë të qëndrueshme”.
Megjithë kritikat e mëparshme të Trump ndaj NATO-s, ai konfirmoi në qershor angazhimin ndaj aleancës dhe Nenit 5 të saj për mbrojtje të ndërsjellë, në këmbim të një premtimi nga europianët për të rritur shpenzimet për mbrojtjen. Por anulimi i pjesëmarrjes së Rubio-së në një takim të ministrave të jashtëm të NATO-s këtë javë ka shtuar pasiguri, sidomos për vendet lindore të aleancës që mund të jenë objekt i Moskës.
Frika nga lëshimet territoriale dhe rivlerësimi i Rusisë
Zyrtarët europianë thonë se nuk ka tregues që Putin dëshiron të ndalojë pushtimin e Ukrainës. Por nëse ndodh, ata shqetësohen se çdo marrëveshje që nuk respekton integritetin territorial të Ukrainës mund ta fuqizojë Rusinë për të sulmuar sërish jashtë kufijve të saj.
Aktualisht duket e mundshme që çdo marrëveshje do t’i lejojë Moskës të mbajë kontrollin mbi tokat ukrainase që ka pushtuar me forcë, pavarësisht nëse kufijtë ndryshohen formalish. Administrata Trump nuk e ka refuzuar tërësisht pretendimin rus mbi pjesën tjetër të rajonit të Donbasit, që Rusia nuk ka arritur ta kapë pas katër vjetësh luftë.
Gjithashtu, Trump dhe zyrtarë të tjerë amerikanë kanë bërë të qartë se shohin mundësi të mëdha biznesi me Moskën pas përfundimit të luftës, gjë që shqetëson europianët për rikthimin ekonomik të Rusisë dhe fuqizimin e saj ushtarak.
Kaja Kallas, kreu i politikës së jashtme të BE-së, tha se “nëse ushtria ruse mbetet e madhe dhe buxheti i saj ushtarak vazhdon të jetë kaq i lartë, ata do ta përdorin sërish”.
Europa pa ndikim të madh
Megjithë ndihmën e madhe për Ukrainën, rreth 180 miliardë euro që nga pushtimi rus në shkurt 2022, udhëheqësit europianë kanë pasur vështirësi në imponimin e ndikimit në marrëveshje. Blloku ka një mundësi të madhe presioni përmes aseteve ruse të ngrira, por nuk ka arritur ende të vendosë përdorimin e tyre për një kredi 140 miliardë euro për Ukrainën.
Një “koalicion vullnetar” i udhëhequr nga Franca dhe Britania ka premtuar të vendosë një “forcë sigurie” pas lufte, por Rusia e ka refuzuar idenë. Edhe nëse vendoset, kjo forcë do të jetë e vogël dhe e varur nga mbështetja amerikane.
Claudia Major, zëvendës-presidente e lartë për sigurinë transatlantike në German Marshall Fund, tha se europianët tani po paguajnë çmimin e mosinvestimit në kapacitete ushtarake gjatë viteve të fundit. “Europianët nuk janë në tavolinë. Siç tha Trump për Zelenskin, ata nuk kanë kartat”, përfundoi ajo.






