spot_img
Thursday, December 18, 2025
spot_img

Pse bota duhet të rishikojnë kufijtë e shteteve të Lindjes së Mesme?

Ata e vizatuan hartën e Lindjes së Mesme me një të rënë të lapsit, dhe që nga ajo kohë kemi jetuar duke u përballur me pasojat. Konferenca e San Remos e vitit 1920, i kodifikoi interesat koloniale nga mbetjet e Perandorisë Osmane. Konsideratat etnike, fetare dhe topografike u shpërfillën ose minimizuan.

Tani, pak më shumë se 100 vjet më vonë, gjendemi në një udhëkryq tjetër pas kolapsit të Sirisë, një nga shtetet kombëtare të krijuara nga Perëndimi. Shumë luftëra janë zhvilluar për t’i mbajtur të bashkuara këto shtete artificiale, por ato kanë arsye më bindëse për t’u ndarë sesa për të qëndruar të tilla.

A është 2025-a, viti kur më në fund jemi gati të pranojmë dëmin nga bashkimi në një shtet i grupeve fetare dhe fisnore që e urrejnë njëri-tjetrin? Modeli i shtetit multietnik, funksionon në Shtetet e Bashkuara sepse amerikanët e dëshirojnë atë.

Bota mund të mos jetë gati për të rivizatuar kufijtë e Lindjes së Mesme, por ajo s’duhet të jetë nën iluzionin e rremë se injorimi i ndarjeve të rreme do të çojë në më pak cikle persekutimi, torture, ekstremizmi fetar dhe sundimi autoritar. Siria është një tjetër komb i imagjinuar nga britanikët dhe francezët.

Për 44 vitet e fundit, ajo u sundua pamëshirshëm nga një pakicë alavite e udhëhequr nga familja Assad, i cili persekutoi shumicën e popullsisë sunite. Mjerisht, kryengritja siriane e këtij viti u drejtua nga xhihadistët sunitë të financuar nga presidenti turk, përfaqësuesi kryesor i Vëllazërisë Myslimane, Recep Tayyip Erdogan dhe partnerët e tij nga Katari.

Qëllimi i tij është ringjallja e Perandorisë Osmane dhe pajtueshmëria me hegjemoninë turke në Lindjen e Mesme me shumicë myslimane. Vëllazëria Myslimane, është themeli ideologjik i islamizmit politik dhe xhihadizmit radikal, që varion nga Hamasi tek Al Kaeda dhe HTS (Tahrir Al-Sham).

Ky i fundit, është grupi më i mundshëm për të dominuar Sirinë gjatë vitit që vjen dhe më tej.

Duket se udhëheqësi i HTS, Abu Mohammed Al-Golani, i ka mësuar mësimet e përballjeve të dikurshme me perëndimorët, dhe do të tregohet i duruar për të fituar besimin e tyre.

Ai e di se nëse thotë fjalët që duan të dëgjojnë – mbi demokracinë, lirinë e fesë, tolerancën, respektimin e të drejtave të njeriut – ato do të ofrojnë dhjetëra miliarda dollarë për rindërtimin e kombit të tij të shkatërruar nga lufta. Amerika dhe Perëndimi janë të lumtura që mashtrohen vazhdimisht.

Logjika thotë se Siria mund të ndahet në një linjë autonome të Rajoni Kurd të mbështetur nga SHBA-j, një rajon i vogël alevit në bregun e Mesdheut, dhe për fat të keq dhe një entitet xhihadist sunit i dominuar nga turqit në pjesën tjetër të këtij vendi.

Shumica e popullsisë së krishterë, është përzënë dhe internuar nga frika e persekutimit. Druzët sirianë mund të preferojnë të bashkohen me familjet e tyre në anën izraelite të Lartësive Golan. Pavarësisht optimizmit të popullit sirian që raportojnë mediat amerikane, Siria ndihet sot më shumë si në fillimet e Pranverës Arabe (2011), e cila u shndërrua shpejt në një Dimër Arab me një shtypjeje akoma më të ashpër.

Iraku, një tjetër komb artificial, u krijua duke pasur parasysh tregtinë dhe dominimin britanik. Fuqitë koloniale themeluan një mbreti jo autoktonësh në Irak, si një kompensim për premtimet e shkelura nga britanikët dhe francezët. Hashemitëve iu dhanë monarkitë e sapokrijuara në Irak dhe Jordania.

Mbreti irakian u rrëzua në vitet 1950, por kombi i ndarë në disa etni mbeti i paprekur.  Gjatë viteve 1979-2003, Iraku drejtohej nga tirani Saddam Hussein, i cili e persekutoi shumicën e popullsisë deri në pushtimin e SHBA-së, që prodhoi cikle hakmarrjeje dhe lufte, pa arritur që SHBA-ja të bënte atë që ishte më e nevojshme.

Në fund atje u krijuan de fakto 3 shtete: kurdët në veri, shiitët në jug dhe shumica sunite në qendër, pra shtete afërsisht përgjatë vijave etnike dhe tradicionale. Kurdët, një popull autokton që iu premtua shteti i tyre, u tradhtuan nga fuqitë evropiane. Sot ata janë të persekutuar në Turqi, Iran, Irak dhe Siri.

Shteti irakian i dominuar nga Irani, do të vazhdojë të shtypë pakicat e tij derisa perandoria iraniane e së keqes në Teheran të përmbyset nga populli iranian, diçka që duhet të jetë një synim i politikës së jashtme amerikane, i shpallur publikisht, i mbështetur me ndihmë aty ku është e mundur, por jo nga trupat amerikane në terren.

Dhe kjo na kthen tek mënyra se si ndodhi e gjitha kjo. Skyes dhe Picot, e ripërpunuan Lindjen e Mesme sipas dëshirave koloniale, duke shpërfillur dallimet e mëdha në fe, kulturë, klan dhe territor që kishin ekzistuar për shekuj, duke shkaktuar kësisoj një shekull grindjesh dhe persekutimi.

Shumë nga premtimet u shkelën, duke lënë një shije të keqe tek popujt e Lindjes së Mesme. Pasi kufijtë po caktoheshin nga fuqitë koloniale, popullit të lashtë dhe autokton hebre iu dha një zonë nga Mesdheu përmes Jordanit të sotëm, e cila u zvogëlua në më pak se 20 për qind të asaj që ishte premtuar.

Megjithatë, Izraeli mund të jetë një model për shtetet kombëtare në Levant, pasi ai u krijua për një popull me histori, traditë dhe fe të përbashkët. Mjerisht, në dallim nga fqinjët e tyre myslimanë, vetëm ata mund t’u japin të drejta të plota qytetarëve të pakicave, sepse adoptuan demokracinë e stilit perëndimor.

Kjo nuk e mohon mundësinë e autonomisë për palestinezët, nëse synimi i tyre kryesor i tyre nuk mbetet eliminimi i shtetit hebre. Në Jordani, britanikët vendosën në krye një mbret të dinastisë hashemite nga Gadishulli Arabik. Por monarkia e tij nuk është autoktone në Levant.

Libani, një tjetër shtet artificial, supozohej fillimisht të dominohej nga të krishterët në aleancë me Francën. Por tani është një shtet i dështuar për shkak të ndryshimeve demografike, të cilat çuan në një pluralitet shiit, aleat me Republikën Islamike hegjemoniste të Iranit.

Edhe Libani duhet të ndahet, por fuqitë ndërkombëtare dhe perëndimore janë të verbuara nga perspektiva e tyre historike e keqkuptuar, duke menduar se Libani, Siria dhe Iraku janë kombe të vjetra mijëvjeçare, ku në fakt ato janë më pak se njëshekullore.

Asnjë nga këto zgjidhje nuk është optimale, por këtë trajtim ka pasur rajoni. Lindja e Mesme ka qenë një rajon kaotik për aq shumë kohë, sa ndoshta nevojitet një rajon i ri-imagjinuar, i bazuar tek realitetet etnike dhe fetare, për të kompensuar dëmin që i shkaktuan deri 100 vite më parë interesat koloniale.

Në Amerikë, lavjerrësi i politikës së jashtme është zhvendosur kryesisht në anën izolacioniste, dhe kjo rrezikon të shpërdorojë mundësinë për të çuar përpara interesat tona rajonale. Ne mund të mësojmë nga gabimet e procesit të ndërtimit të kombit në Irak, ndërsa duhet të bashkëpunojmë me njerëzit në rajon që duan të jenë aleatët tanë.

Kjo është një rruga e duhur që duhet të ndjekë politika e jashtme e SHBA-së. Rebelët sirianë do të ishin të mençur të dëgjonin tekstet e grupit tëë muzikës rock “The Who”: Takoni shefin e ri, njësoj si shefin e vjetër!”. Së shpejti nën një administratë të re, Amerika duhet ta ndihmojë Lindjen e Mesme ta mësojë të “këndojë” nën një “melodi” të re.

*Eric R.Mandel, drejtor i Rrjetit të Informacionit Politik të Lindjes së Mesme dhe redaktor në gazetën Jerusalem Post.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit