Ultimatumi nuk mund të ishte më i qartë. Trump u tha udhëheqësve të Iranit: nëse nuk hiqni dorë plotësisht nga pasurimi i uraniumit, nëse nuk dorëzoheni në mënyrë të pakushtëzuar, “diçka do të ndodhë”. Nuk është një negociatë, nuk është çështje marrëveshjeje. Është një kërkesë për dorëzim të plotë.
Vetëm pak ditë më parë, pas sulmit të Izraelit ndaj Iranit, Trump kishte zgjedhur një rrugë të ndërmjetme: dha një mbështetje të paqartë përmes inteligjencës amerikane për sulmet izraelite që i quajti “të njëanshme”, dhe natyrisht premtoi mbështetje mbrojtëse për aleatin, por gjithashtu ritheksoi se lufta mund të përdorej si mjet presioni për të detyruar Teheranin të pranojë një marrëveshje.
🔊
Tani megjithatë ka ardhur momenti që, nëse kjo taktikë e bindjes përmes kërcënimeve dështon, Trump duhet të vendosë nëse kjo është lufta e Izraelit apo e Shteteve të Bashkuara. Dhe për këtë arsye, dje bota priste me ankth rezultatin e takimit të tij në “Situation Room” për të kuptuar nëse është gati t’i ndihmojë izraelitët për të shkatërruar impiantin bërthamor iranian në Fordow.
Takimi u parapri nga një ndryshim në retorikën e Trump në orët e fundit: jo vetëm mesazhi shqetësues në rrjete sociale “evakuoni Teheranin” pak para se të largohej para kohe nga samiti i G7, por mbi të gjitha përdorimi i përemrit “ne” duke evokuar ndryshimin e regjimit, kur shkroi: “ne kemi kontroll të plotë të qiellit mbi Teheran” dhe “e dimë saktësisht ku fshihet e ashtuquajtura Udhëheqje supreme. Është një objektiv i lehtë, por është i sigurt për momentin, nuk do ta heqim qafe (nuk do ta vrasim!) të paktën për tani”.
Edhe ndërhyrja e nënpresidentit JD Vance në rrjete sociale është domethënëse: ai u përpoq t’i shpjegojë elektoratit MAGA (Make America Great Again) një ndërhyrje të mundshme ushtarake amerikane, duke thënë se “natyrisht njerëzit kanë të drejtë të shqetësohen për përfshirjen në luftëra jashtë vendit pas 25 vjetësh politike të jashtme idiote”, por “presidenti ka bërë gjithçka për të mbajtur forcat tona të fokusuara në mbrojtjen e ushtarëve dhe qytetarëve tanë”. Tani megjithatë “mund të jetë e nevojshme të ndërmerren veprime të mëtejshme për të ndalur pasurimin e uraniumit”.
Fronti i mbështetësve MAGA, “kori” i Trump-it me komentatorin Tucker Carlson në krye, po përpiqet të ndalë atë që e shohin si një rrëshqitje të pashmangshme drejt një tjetër “lufte të përjetshme” të cilën udhëheqësi i tyre e ka dënuar gjithmonë. Nga ana tjetër, Trump i është kundërpërgjigjur Carlson-it në rrjete sociale dhe dje ripostoi një mesazh nga ambasadori i tij në Izrael, pastori Mike Huckabee, i cili i shkruante se Zoti e kishte shpëtuar në atentatin e Butler-it që ai të bëhej “presidenti më i rëndësishëm që nga koha e Trumanit më 1945”: ai që hodhi bombën atomike mbi Japoninë. Netanyahu e ka bindur Trump-in se iranianët janë shumë pranë arritjes së një arme bërthamore.
Të dy liderët kanë dallime, nuk mungojnë dyshimet reciproke, por kanë një gjë të përbashkët: bindjen se Irani nuk duhet të ketë kurrë armë bërthamore dhe se ai përbën një kërcënim ekzistencial për Izraelin. Para se të niste sulmet ndaj Iranit, Izraeli i kishte dorëzuar SHBA-së informacione alarmante të inteligjencës, sipas të cilave Teherani po kryente kërkime të reja të dobishme për ndërtimin e një arme bërthamore, edhe pse disa zyrtarë amerikanë, ndonëse të bindur se Irani ka bërë përparime të mëdha në programin e tij atomik, ishin skeptikë se kishte marrë vendimin përfundimtar për të ndërtuar një bombë.
Dje, Shtëpia e Bardhë u dërgonte gazetarëve një listë me 15 herë që nga fillimi i mandatit të tij kur Trump ka deklaruar se Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore; zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Tammy Bruce tha se ato janë 40 herë që nga viti 2011.
Amerikanët e kishin ditur prej kohësh që Netanyahu po përgatitej për sulm. Më 8 qershor në Camp David, drejtori i CIA-s John Ratcliffe i tha presidentit se Izraeli do të godiste me ose pa SHBA-në. Më 9 qershor, Trump foli në telefon me Netanyahu-n dhe kuptoi se nuk do ta ndalte dot. Kryeministri izraelit i tregoi se kishte forca edhe në terren brenda Iranit: Trump mbeti i impresionuar, ashtu si edhe nga suksesi i operacionit izraelit – një sukses që ai dëshiron ta prezantojë edhe si të tijin. “Besoj se do të duhet ta ndihmojmë”, do t’u ketë thënë këshilltarëve atë ditë.
Për më tepër, Trump po humbte durimin me negociatat me Iranin: nuk po shkonin në drejtimin që ai donte.






