Një protestë është duke u zhvillua sot nga prindërit e fëmijëve që vijonin mësimet në shkollën “Asim Vokshi” në Prishtinë.
Protesta është paralajmëruar më parë ndërsa po mbahet sot para objektit shkollor.
Prindërit e nxënësve në fjalë kanë shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj vendimit të Drejtorisë së Arsimit në Prishtinë për bartjen e nxënësve nga kjo shkollë në shkollën “Zenel Hajdini” nën arsyetimin e zbatimit të projektit për mësim tërëditor.
Ky vendim u ka shkaktuar probleme të shumta prindërve, si për shkak të distancës së madhe dhe rrezikut në rrugë të fëmijëve.
“Ne kemi dorëzuar kërkesë zyrtare në Drejtorinë e Arsimit për kthimin e fëmijëve tanë në Shkollën “Asim Vokshi”. Nuk jemi kundër modelit të mësimit tërditor, por besojmë se shkolla jonë i plotëson të gjitha kushtet për zbatim pa zhvendosje”, thuhej në reagimin e prindërve.
Mbi 200 prindër kanë kërkuar kthimin e nxënësve në shkollën “Asim Vokshi”.











