Administrata Tatimore e Shqipërisë ka identifikuar deri më tani 127 biznese të dëmtuara gjatë protestave të zhvilluara ditët e fundit në Tiranë. Vlera e përgjithshme e dëmeve të raportuara arrin në 2.15 milionë euro.
Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, 55 biznese janë evidentuar gjatë verifikimeve në terren nga punonjësit e administratës, ndërsa 72 subjekte të tjera i kanë raportuar dëmet përmes shërbimit elektronik “Dëmi im”.
Procesi i evidentimit dhe vlerësimit të dëmeve është ende në vazhdim, me qëllim mbledhjen dhe përditësimin e informacionit lidhur me humbjet materiale të shkaktuara në ambientet tregtare.
Administrata Tatimore po zhvillon kontrolle në terren, ndërkohë që po shqyrton edhe të dhënat e deklaruara nga vetë bizneset e prekura, raporton Tch.
Përmes një njoftimi, Tatimet u kanë bërë thirrje të gjitha subjekteve që kanë pësuar dëme që të përdorin shërbimin “Dëmi im”, i cili është i qasshëm në portalin e-Albania, për të raportuar dëmtimet e shkaktuara në aktivitetin e tyre.
Dëmet materiale janë shkaktuar gjatë protestave të mbajtura ditët e fundit në kryeqytetin shqiptar, ku janë dëmtuar ambiente dhe njësi të ndryshme tregtare.








