Udhëheqësit evropianë të përqendruar në diplomacinë e ndërmjetme me Donald Trumpin për tregtinë dhe Ukrainën, kanë zgjedhur të heshtin lidhur me një krizë tjetër në lindje të Evropës.
Për më shumë se nëntë muaj, protestat masive të udhëhequra nga studentët në Serbi kanë sfiduar sundimin autoritar të Aleksandër Vuçiçit, i cili ka qenë në detyrë si kryeministër dhe president për 11 vjet.
Arsyeja e shpërthimit të disa prej demonstratave më të mëdha në historinë e Serbisë ishte shembja e çatisë së një stacioni hekurudhor të rinovuar rishtazi në qytetin e dytë të vendit, Novi Sad, duke çuar në vdekjen e 16 personave. Fatkeqësia iu atribuua gjerësisht mashtrimit dhe korrupsionit të rrënjosur të kryesuar nga Partia Progresive Serbe në pushtet e Vuçiçit dhe shumë shpejt u bë shkëndija për një lëvizje për reformë demokratike.
Studentët po kërkojnë zgjedhje të parakohshme dhe një epokë të re transparence dhe llogaridhënieje, nga vendi kandidat për në BE. Ndërsa zemërimi dhe frustrimi në rrugë është shtuar, përgjigjja e Vuçiçit është bërë gjithnjë e më e ashpër.
Presidenti nisi një goditje të pamëshirshme ndaj grupeve të shoqërisë civile që merrnin fonde të huaja. Në rrugë, këtë muaj, turma të orkestruara sulmuan protestuesit dhe thuhet se plaçkitën bizneset në pronësi të kundërshtarëve të zotit Vuçiç. Gjithashtu, ka pasur raportime se policia është treguar e ashpër dhe brutale ndaj protestuesve. Mes dhunës, protesta e fundit antiqeveritare në Beograd u zhvillua nën sloganin: “Le t’u tregojmë atyre se nuk jemi një thes grushti”.
Protestuesit meritojnë më shumë mbështetje dhe solidaritet nga BE-ja sesa po marrin. Autokratik dhe cinik, Vuçiç është një e keqe në politikën e Ballkanit Perëndimor. Përtej kufijve të Serbisë, ai ka kultivuar prej kohësh një axhendë tinëzare dhe destabilizuese etno-nacionaliste në lidhje me Kosovën dhe Republikën Srpska – entitetin etnik serb në Bosnjë dhe Hercegovinë. Ai është bërë gjithnjë e më shumë një kërcënim për demokracinë në vend.
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë zbuloi se zgjedhjet parlamentare të Serbisë vitin e kaluar u dëmtuan nga paragjykimet mediatike dhe përdorimi i rrjeteve të patronazhit qeveritar për të ndikuar në votime. Përgjigja autoritare ndaj protestave, të cilët janë përhapur në qendrat e vogla të qytetit ku mbështetet Vuçiç, ka kontribuar në rënien e besimit publik tek një udhëheqës i cili ka shfrytëzuar pushtetin për t’i shërbyer interesave të tij politike.
Nëse dëshiron ta përdorë, BE-ja ka një levë të konsiderueshme ekonomike për të përdorur. Blloku siguron më shumë se 60% të investimeve të huaja direkte në Serbi dhe i ka premtuar 1.6 miliardë euro Beogradit deri në vitin 2027, të lidhura me reformat e ardhshme. Por Brukseli nuk dëshiron ta shohë vendin të rrëshqasë më tej në orbitën e Rusisë dhe si pasojë, ka zbutur çdo kritikë ndaj z. Vuçiç.
Nga ana e tij, presidenti ka luajtur një lojë dinak balancuese gjeopolitike, duke dërguar armë nëpërmjet palëve të treta në Kiev dhe në Moskë, si dhe i ka dhënë BE-së akses të rëndësishëm në rezervat e konsiderueshme të litiumit të Serbisë.
Pas dhunës së kësaj vere, Vuçiç bëri një thirrje të vonuar për një dialog me protestuesit, vetëm javën e kaluar. Por ajo që i duhet Serbisë janë zgjedhje të lira dhe të ndershme, gjithashtu edhe përmbysja e zvarritjes autoritare të dekadës së kaluar.
Në një kohë kur vlerat liberale të BE-së po sfidohen në Uashington, në Moskë dhe Pekin, ajo duhet t’i mbrojë shumë më fuqishëm në një betejë për reforma demokratike që po zhvillohet jashtë kufijve të saj.










