Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës (AUV) ka njoftuar opinionin publik se, përmes Komisionit Evropian dhe Sistemit të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF), ka pranuar një njoftim për një rrezik serioz që lidhet me produktin ushqimor qumësht APTAMIL.
Sipas njoftimit të AUV, në këtë produkt është identifikuar prania e bakteries Bacillus cereus, e cila mund të paraqesë rrezik për shëndetin e konsumatorëve. Për këtë arsye, është kërkuar tërheqja e menjëhershme e produktit nga tregu.
“Duke marrë parasysh se niveli i rrezikut është vlerësuar si serioz, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, në përputhje me procedurat e sistemit RASFF, është duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për gjurmueshmërinë dhe tërheqjen nga tregu të produktit APTAMIL me lot nr. 111444865, i importuar nga Mbretëria e Holandës nga kompania UNION SH.P.K., Vushtrri”, thuhet në njoftimin e AUV.
Pronar i kompanisë Union SHPK është Xhabir Kajtazi, i cili ishte në mesin e të akuzuarve në rastin e njohur si “Toka”, në të cilin pretendohet se më shumë se 50 persona kanë bashkëpunuar për të përvetësuar prona shtetërore te personat fizik dhe duke shkaktuar dëm të madh buxhetit të shtetit.
Kajtazi me disa të tjerë akuzohej për veprën penale “shpëlarja e parave në vazhdimësi”.
Së fundmi, Kajtazi ka pasur një kontest gjyqësor me avokatin e tij, Ahmet Tahiri, për të cilin pretendonte se nuk ia kishte ekzekutuar një shumë të hollash në xhirollogarinë e tij.








