Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dalë me një komunikatë për të shtënat me armë zjarri sot në sheshin e Podujevës ku katër persona mbetën të plagosur, përfshirë edhe një kalimtar rasti.
Prokuroria tha se përleshja e armatosur ndodhi orës 13:40, në sheshin ‘’Bulevardi i Dëshmorëve’’ ndërmjet tre personave dhe se sipas të dhënave fillestare të hetimit, dyshohet se në këtë ngjarje janë të përfshirë persona që kanë lidhje familjare (nip dhe dajë), ndërsa motivi i dyshuar i kësaj çështje lidhet me një mosmarrëveshje paraprake.
“Menjëherë pas pranimit të informatës nga Policia e Kosovës, prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda ka dalë në vendin e ngjarjes, dhe në bashkëpunim me njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës, kanë ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave të këtij rasti. Me këto veprime të njëjtit dyshohen për kryerjen e veprës penale ‘’Vrasja e rëndë në tentativë’’, nga neni 173 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.
Personat e lënduar me armë zjarri, janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), për trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, në koordinim të plotë më Policinë e Kosovës, tha se është duke vazhduar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje.








