Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se gjatë 16 muajve të fundit ka ngritur gjithsej 139 aktakuza ndaj 142 personave për veprën penale “ndërtim pa leje”, në kuadër të veprimeve hetimore dhe ligjore në rajon.
Sipas të dhënave zyrtare, vetëm gjatë vitit 2025 janë ngritur 112 aktakuza ndaj 113 personave, ndërsa në periudhën janar–prill 2026 janë ngritur edhe 27 aktakuza të tjera ndaj 29 personave të dyshuar për shkelje të ligjit në fushën e ndërtimit.
Prokuroria ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e ndërtimeve pa leje dhe mbrojtjen e rendit juridik, duke paralajmëruar vazhdimin e hetimeve dhe veprimeve ndaj të gjithë atyre që veprojnë në kundërshtim me ligjin.
Autoritetet kanë bërë të ditur se këto masa synojnë forcimin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik në territorin e Kosovës.









