Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar lidhur me aktakuzën ndaj ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Në një intervistë për emisionin “Politiko”, Kurti ka shprehur besim të plotë dhe as edhe një pikë dyshimi se i beson plotësisht ministres dhe se çdo deklaratë e saj është e saktë.
Ai madje është shumë i bindur se shkelje ka bërë prokuroria, dhe jo Hajdari.
Kurti ndër të tjera ka deklaruar se, si kryeministër, merr përgjegjësinë e plotë për çdo çështje që lidhet me ministrat e tij.
“Gjithçka që ka thënë ministrja ime Rozeta Hajdari në konferencën për media, pas ngritjes së aktakuzës, është e vërtetë dhe e saktë. Unë nuk mund të dyfishoj ministrat e mi, se për atë janë ministrat. Por natyrisht marr përgjegjësinë e plotë si Kryeministër i Republikës së Kosovës. Unë besoj që Prokuroria me atë rast ka bërë shkelje dhe jo ministrja Hajdari,” tha Kurti.
Ky reagim vjen pas ngritjes së aktakuzës ndaj ministres Hajdari, ndërsa kryeministri synon të qartësojë qëndrimin e tij dhe mbështetjen ndaj kabinetit të tij qeverisës.






