Prokuroria Themelore në Prishtinë, është deklaruar lidhur me arrestimin e Durim Berishës. Në njoftim thuhet se Berisha është ndaluar mbi dyshimet për veprat ‘’ngacmim’’ dhe ‘’detyrim’’.
Nga prokuroria është deklaruar edhe se, Berisha ka qenë i përfshirë në komunikim me palën e dëmtuar, gjë për të cilën, prokuroria ka siguruar prova.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë ndalon një person të dyshuar për ngacmim dhe detyrim Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale ‘’Ngacmimi’’, sipas nenit 182, dhe ‘’Detyrimi’’, sipas nenit 328 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Bazuar në dyshimet fillestare, i dyshuari ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në komunikim me palën e dëmtuar, për çka Prokuroria ka siguruar prova relevante që mbështesin këto dyshime. Prokuroria thekson se ky rast nuk ndërlidhet me pretendime apo denoncime publike të bëra nga i dyshuari, siç është raportuar në disa media. Këto raportime janë bazuar në deklarata të avokatit mbrojtës të të dyshuarit dhe nuk përputhen me gjendjen faktike të konstatuar deri në këtë fazë të hetimeve nga organet kompetente”.









