Prokurori special Bekim Kodraliu, gjatë paraqitjes së fjalës hyrëse në gjykimin ndaj të akuzuarve për sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut, zbuloi detaje mbi një nga provat kryesore të siguruara në bashkëpunim me ekspertët e FBI-së.
Sipas tij, ekspertët amerikanë kanë analizuar mostrat e baltës dhe dheut të marra nga çizmet e dy të pandehurve, Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq, dhe i kanë krahasuar ato me mostrat e dheut të mbledhura në vendin e ngjarjes, si dhe me mostra të marra në tri lokacione të tjera, me qëllim të verifikimit të saktësisë së rezultateve.
“Ekspertët e FBI-së kanë analizuar mostrat e baltës dhe të dheut të marra nga çizmet e dy të pandehurve Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq, dhe ato mostra i kanë krahasuar edhe me mostrat e dheut të siguruara në vendin e ngjarjes e po ashtu edhe në tri vende të tjera të ndryshme me qëllim që të vërtetohet saktësia e baltës së gjetur në çizmet e të pandehurve”, tha Kodraliu.
Prokurori theksoi se konkluzionet e ekspertëve të FBI-së tregojnë se mostrat e dheut të gjetura në çizmet e dy të akuzuarve përputhen me ato të vendit ku ndodhi sulmi terrorist.
“Konkluzioni i ekspertëve të FBI-së se mostrat e çizmeve të të pandehurve, për dallim me tri vendet e tjera, nuk paraqesin dallime për nga ngjyra, struktura, përbërja minerale dhe karakteristikat tjera fizike të dheut të marrë në vendin e ngjarjes me dheun e gjetur në çizmet e të pandehurve Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq, por ka dallueshmëri me mostrat e dheut të marra në tri lokacione të tjera, e që do të vërtetohet para jush se të pandehurit kanë qenë pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit”, shtoi ai.








