Prokurori: Sulmi në Ibër-Lepenc ishte pjesë e një plani të organizuar kundër Kosovës, do të paraqiten prova nga FBI dhe policia italiane

Prokurori special, Bekim Kodraliu, deklaroi në seancën e fjalëve hyrëse në rastin për sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit se sulmi i 29 nëntorit 2024 nuk ishte një akt spontan, por pjesë e një serie sulmesh të organizuara që, sipas Prokurorisë, kishin për synim cenimin e rendit juridik dhe sigurisë kombëtare të Kosovës.


Ai bëri të ditur se Prokuroria do t’i paraqesë trupit gjykues një sërë provash, përfshirë ato të siguruara në bashkëpunim me FBI-në nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe prova shkencore të përgatitura nga policia italiane, të cilat, sipas tij, dëshmojnë fajësinë e të akuzuarve për veprën penale të sulmit terrorist.

Kodraliu theksoi se, sipas Prokurorisë, sulmi në Ibër-Lepenc përbën sulmin e katërt të kësaj natyre në tri vitet e fundit, pas sulmit ndaj zyrave të KQZ-së në Mitrovicë në dhjetor të vitit 2022, sulmit ndaj ushtarëve të KFOR-it në maj të vitit 2023, vendosjes së barrikadave dhe sulmit në Banjskë në shtator të po atij viti.

“Sulmi në këtë kanal përbën vazhdimësi të një serie sulmesh të rënda, që në tre vitet kanë pasur për objektiv cenimin e rendit juridik dhe sigurisë kombëtare. Sipas provave që kemi siguruar dhe që do të paraqiten para jush, ky sulm paraqet sulmin e katërt të natyrës së tillë, pas ngjarjeve të mëhershme që kanë cenuar institucionet dhe sigurinë e vendit. Më duhet të veçoj sulmin e zyrave të KQZ-së në Mitrovicë, në dhjetor 2022, duke vazhduar me sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it në maj 2023, vendosjen e barrikadave dhe sulmin në Banjskë në shtator të vitit 2023 e duke u finalizuar me sulmin terrorist në kanalin Ibër-Lepenc”, deklaroi Kodraliu.

Prokurori special tha gjithashtu se një pjesë e provave që do të paraqiten në gjykatë lidhen me trajnimet dhe përgatitjet që, sipas dyshimeve të Prokurorisë, janë zhvilluar në territorin e Serbisë.

Ai përmendi konkretisht poligonin ushtarak të quajtur “Livadhet e Pasulit”, duke thënë se aty janë zhvilluar trajnimet dhe përgatitjet për veprime të kundërligjshme kundër shtetit të Kosovës.

“Nga provat që do të paraqiten do të jenë edhe provat që paraqesin trajnimet dhe përgatitjet që janë zhvilluar në poligonin ushtarak të quajtur ‘Livadhet e Pasulit’, në Serbi, që tashmë po dyshohet që ka edhe varrezë masive, krejt kjo si pjesë e përgatitjeve të kundërligjshme ndaj shtetit të Kosovës”, tha ai.

Kodraliu shtoi se dy vëllezërit e akuzuar në këtë rast dyshohen gjithashtu edhe për vrasje të rëndë në territorin e Istogut, duke kërkuar që ata të dënohen në përputhje me dispozitat e Kodit Penal të Kosovës.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit