Mandati i Vjosa Osmanit si presidente e Kosovës përfundoi më 04.04.2026 dhe ulësen e të parës së shtetit, përkohësisht e zuri kryeparlamentarja Albulena Haxhiu.
Por, edhe pas përfundimit të mandatit pesëvjeçar presidencial, Osmanit i njihen disa të drejta me Ligjin për Presidentin e Republikës së Kosovës, duke nisur nga thirrja “Presidente”, e cila do të vazhdojë t’i vlejë.
Në bazë të këtij ligji, ajo ka të drejtë në pension, shuma e të cilit është 70% e pagës të cilën e ka marrë si kryetare shteti.
Po ashtu, Osmani dhe familja e saj (burri dhe fëmijët) kanë të drejtë në sigurim të plotë shëndetësor dhe shërbime mjekësore në spitalet ushtarake dhe publike gjatë tërë jetës.
“Presidenti i Republikës së Kosovës pas përfundimit të mandatit, ka të drejtë në kompensim monetar kalimtar për një periudhë shtatë mujore të tranzicionit në jetën private. Fondet mund të përdoren për zyre, kompensim të stafit, shërbime të telekomunikacionit, shtypje dhe shërbime postare të ndërlidhura me periudhën tranzitore.” – thuhet në ligj.
Presidentja Osmani dhe familja e saj kanë të drejtë të kenë përcjellje zyrtare, pra mbrojtje të afërt, për tri vitet e ardhshme.
Në këto kushte, ish-presidentes i lejohet të marrë pjesë në manifestimet shtetërore sipas radhës protokolare në vend.
Në rastin e Osmanit, bashkë me burrin e saj, Ligji u lejon që ta përdorin pasaportën diplomatike të Kosovës tërë jetën, kurse fëmijët e tyre kanë të drejtë deri në moshën 18-vjeçare.
“Presidenti i Republikës së Kosovës ka të drejtë në shpenzimet materiale për aktivitetet e tij/saj, në rastet kur këto aktivitete ushtrohen në cilësinë e ish-Presidentit. Mjetet nga paragrafi 1 i këtij neni sigurohen nga buxheti i përcaktuar për Zyrën e Presidentit të Kosovës.” – thuhet në ligj.
Ligji e përcakton se në periudhën pesë vjeçare pas përfundimit të mandatit të presidentit, nuk mund të jenë më shumë se tre persona në personel profesional të zyrës.
“Presidenti angazhohet nga Qeveria e Kosovës në aktivitete shtetërore, atëherë periudha pesë vjeçare fillon nga përfundimi i angazhimit të Presidentit.” – thuhet në ligj.









