Në një nga lëvizjet më simbolike dhe të pazakonta të regjimit të Phenianit, vajza e liderit koreano-verior Kim Jong Un, Kim Ju Ae, bëri debutimin e saj ndërkombëtar gjatë paradës së “Ditës së Fitores” në Pekin, Kinë, një ngjarje me peshë historike, politike dhe propagandistike për boshtin Pekin–Phenian.
Fotografitë e shpërndara nga mediat shtetërore kineze dhe koreano-veriore tregojnë Kim Ju Ae duke zbritur nga treni presidencial në Pekin menjëherë pas babait të saj, në një skenë të kuruar me kujdes. Ajo u pozicionua menjëherë pas liderit suprem, ndërsa pjesa tjetër e delegacionit mbeti në sfond, një sinjal që nuk i ka shpëtuar analistëve.

Sipas Shërbimit të Inteligjencës Kombëtare të Koresë së Jugut (NIS), Ju Ae, rreth 13 vjeçe, shihet gjithnjë e më shumë si pasardhësja më e mundshme e Kim Jong Un, bazuar në analizën e protokolleve shtetërore dhe prania e saj në aktivitete zyrtare me karakter ushtarak dhe strategjik.
Një princeshë në hije që po del në dritë
E cilësuar nga mediat shtetërore si “fëmija më i dashur” apo “më e respektuara” e Kim Jong Un, Ju Ae ka shfaqur një prezencë të qëndrueshme dhe të qëllimshme në skenën publike gjatë muajve të fundit. Që nga inspektimet në fabrika armësh, te ceremonitë ushtarake dhe vizitat me zyrtarë të huaj, ajo është vendosur në qendër të vëmendjes, shpesh në të njëjtin nivel simbolik me të atin.

Pamjet nga media shtetërore tregojnë një vajzë që jo vetëm që qëndron përkrah Kim Jong Un, por që është tashmë më e gjatë dhe më e matur në sjellje, një imazh që ndërtohet për të transmetuar forcë, siguri dhe autoritet të trashëguar.
Për Jean H. Lee, gazetare dhe analiste e njohur për raportimin mbi Korenë e Veriut, “prania e saj në evente që lidhen me raketat dhe ushtrinë nuk është rastësore”. Në një podcast të Sky News, Lee e përshkroi skenën nga festa ushtarake për 75-vjetorin e ushtrisë koreano-veriore si “një tablo të paster të dinastisë Kim: baba, nënë dhe bijë”.
Monarkia e re në Lindjen e Largët?
A po ndërton Kim Jong Un një monarki trashëgimore të tipit të Mbretërisë së Bashkuar në një nga regjimet më të izoluara të botës?
Kjo është një nga hipotezat që po shtjellojnë analistët në rajon. “Ju Ae po mëson artin e ‘mbretërimit’ që në moshë të vogël,” thotë Cheong Seong-Chang nga Instituti Sejong në Korenë e Jugut. “Ajo po ndërton një rrjet njerëzor, duke marrë pjesë në çdo ngjarje me peshë të babait të saj.”

Megjithatë, ekspertët kujdesen të theksojnë se ende është herët për të konfirmuar një vijimësi të tillë. Kim Jong Un është vetëm 41 vjeç, dhe sistemi i brendshëm i pushtetit në Phenian është thellësisht patriarkal. Prej vitit 1948, udhëheqja ka kaluar vetëm mes burrave të familjes Kim, gjyshi Kim Il Sung, babai Kim Jong Il, dhe aktualisht, ai vetë.
Për më tepër, regjimi nuk ka bërë asnjë deklaratë zyrtare për vijimësinë, dhe informacione mbi fëmijët e tjerë të Kim Jong Un, nëse ekzistojnë, janë të paqarta dhe të pakonfirmuara.
Një lëvizje me shumë sinjale
Pjesëmarrja e Kim Ju Ae në një udhëtim të tillë, krahas Kim Jong Un dhe pranë liderëve si Xi Jinping dhe Kim Jong Un, është një sinjal i fortë për botën. Ajo nuk është më thjesht vajza e liderit: është trashëgimtare në formim, pjesë e një strategjie të re të kultit të familjes Kim.

Nëse kjo do të përkthehet në një tranzicion të qetë drejt një “mbretëreshe” të ardhshme në një regjim bërthamor, apo është thjesht një taktikë propagandistike për të forcuar legjitimitetin e Kim Jong Un, mbetet për t’u parë.
Por një gjë është e sigurt: regjimi koreano-verior po dërgon sinjale të koduara jo vetëm për armët që ka, por edhe për trashëgiminë që po përgatit. /Përshtatur nga “Sky News”










