Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka njoftuar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së Rregullores së Qeverisë Nr. 07/2025 për Procedurën e Pranimit në Shërbimin Civil. Vendimi është marrë gjatë mbledhjes së Këshillit të Kryetarëve të AKK-së, të mbajtur më 14 maj 2026.
Sipas komunikatës zyrtare, përfaqësuesit e pushtetit lokal vlerësojnë se ky autoritet është i garantuar me kornizën më të lartë ligjore të vendit dhe me konventat ndërkombëtare.
“E drejta e vetëqeverisjes lokale është kategori kushtetuese dhe garantohet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me ligjet në fuqi dhe me Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale,” thuhet në njoftimin e AKK-së.
Asociacioni argumenton se rregullorja e re e ekzekutivit cenon parimet e decentralizimit dhe tejkalon autoritetin që pushteti qendror ka ndaj komunave. Sipas tyre, roli i qeverisë duhet të kufizohet vetëm në monitorimin e ligjshmërisë.
“Pushteti qendror ka të drejtë të ushtrojë vetëm kontrollin e ligjshmërisë ndaj akteve komunale, por jo të ndërhyjë në kompetencat kushtetuese dhe autonome të komunave. Çdo veprim që tejkalon këtë kufi përbën cenim të rendit kushtetues dhe të autonomisë lokale”, potencohet në komunikatë.
“Asociacioni i Komunave të Kosovës vlerëson se Rregullorja e Qeverisë Nr. 07/2025 për Procedurën e Pranimit në Shërbimin Civil përfaqëson ndërhyrje të drejtpërdrejtë në kompetencat e komunave, duke centralizuar procedurat e rekrutimit të stafit komunal dhe duke reduktuar autonominë funksionale të pushtetit lokal.”
Përfaqësuesit e komunave theksojnë se kjo qasje “bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me parimin e subsidiaritetit dhe me standardet evropiane të vetëqeverisjes lokale.”
Në përmbyllje, AKK-ja ka bërë të ditur se inicimi i këtij rasti në Gjykatën Kushtetuese, i cili do të bëhet përmes komunave, ka për qëllim parësor “mbrojtjen e autonomisë lokale dhe rendit kushtetues në Republikën e Kosovës.”









