Operacioni ushtarak i SHBA-së kundër Iranit pritet të zgjasë rreth katër javë. Paralajmërimi ka ardhur nga presidenti amerikan Donald Trump, teksa paralajmëroi humbje të tjera në radhët e ushtrisë.
Në një intervistë për “The Daily Mail”, Trump tha se kohëzgjatja e konfliktit ishte parashikuar që në fillim.
“Ka qenë gjithmonë një proces 4-javor. Ne menduam se do të zgjasë katër javë apo diçka e tillë. Gjithmonë ka qenë rreth katër javë – sado i fortë që është operacioni, është një vend i madh, do të duhen katër javë – ose më pak”, u shpreh ai.
Presidenti shtoi se operacioni ka shkuar sipas planit dhe se rezultatet kanë tejkaluar pritshmëritë fillestare.
“Përveç faktit që eliminuam të gjithë udhëheqjen e tyre – shumë, shumë më tepër sesa mendonim. Duket se janë 48”, deklaroi Trump, duke iu referuar liderëve iranianë që, sipas tij, janë vrarë në sulme.
Duke komentuar vdekjen e tre ushtarakëve amerikanë, Trump pranoi se humbje të tjera mund të ndodhin.
“Janë njerëz të mrekullueshëm. Dhe, e dini, ne e presim që kjo të ndodhë, për fat të keq. Mund të ndodhë vazhdimisht, mund të ndodhë sërish”, tha ai.
Në një intervistë tjetër për NBC Neës, presidenti u shpreh: “Kemi tre, por presim viktima, por në fund do të jetë një marrëveshje e madhe për botën.”
Trump tha se do të takohet me familjarët e ushtarakëve “në momentin e duhur” dhe se mund të udhëtojë në Bazën Ajrore Dover në Delaëare për ceremoninë e pritjes së trupave të pajetë, ose t’i ftojë familjet në Shtëpinë e Bardhë.
Deklaratat e tij vijnë në një moment kur operacionet ushtarake në Iran vazhdojnë dhe administrata amerikane sinjalizon për një përballje që mund të zgjasë disa javë.









