Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk mori pjesë në darkën me liderët botërorë dhe në Forumin e Paqes në Paris, anipse ishte e ftuar nga homologu francez, presidenti Emmanuel Macron.
Kështu ka bërë të ditur Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes.
“Presidentja dhe Zotëria i Parë janë falënderues ndaj Presidentit Macron dhe Zonjës së Parë Brigitte Macron për ftesën dhe mbështetjen e vazhdueshme”, tha Kupina.
Ai shtoi se mungesa e Osmanit u bë për shkak të takimit trilateral me Princin e Kurorës dhe Kryeministrin e Mbretërisë së Arabisë Saudite, si dhe me Presidentin e Sirisë.
“Për shkak të takimit trilateral me Princin e Kurorës dhe Kryeministrin e Mbretërisë së Arabisë Saudite, si dhe me Presidentin e Sirisë, në të cilin u arrit marrëveshja historike për njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës nga Republika Arabe e Sirisë, Presidentja nuk ka arritur që të udhëtojë për në Francë”, tha Kupina.
Tani Kosova njihet nga 120 shtete.









