Këshilltarët ushtarakë amerikanë vendosën të mos e përfshijnë drejtpërdrejt presidentin Donald Trump në sallën e komandës gjatë një operacioni për nxjerrjen e një piloti të rrëzuar në Iran, duke vlerësuar se përfshirja e tij e plotë mund të rrezikonte zhvillimin e misionit për shkak të sjelljes së paparashikueshme.
Ky vendim erdhi në një moment tensioni të lartë, pasi forcat iraniane rrëzuan një avion amerikan. Sipas burimeve, Trump reagoi me zemërim ndaj stafit të tij duke iu bërtitur për disa orë dhe duke bërë krahasime me krizën e pengjeve në Iran në vitin 1979 dhe pasojat politike që ajo pati për presidentin e atëhershëm amerikan.
“Nëse shikoni çfarë i ndodhi Xhimi Carterit… kjo i kushtoi zgjedhjet”, mësohet të ketë thënë ai.
Megjithëse në publik përdori retorikë të fortë dhe paralajmëroi pasoja të rënda për Iranin, në diskutime të brendshme ai tregoi hezitim për përshkallëzim të mëtejshëm ushtarak. Sipas të njëjtave burime, Trump refuzoi një plan për të marrë kontrollin e ishullit Kharg, një pikë strategjike për eksportet e naftës iraniane.
Këshilltarët ushtarakë argumentuan se një operacion i tillë do të siguronte avantazh taktik dhe kontroll mbi Ngushticën e Hormuzit, por presidenti shprehu shqetësime për humbje të mundshme dhe e cilësoi praninë e trupave në ishull si të ekspozuar ndaj rrezikut.
Qëndrimi i Trump në takime të mbyllura bie në kontrast me deklaratat publike, ku ai thekson vendosmërinë dhe rolin e tij në drejtimin e operacioneve.

Negociatat në Pakistan si alternativë
Konflikti, i nisur më 28 shkurt, ka tejkaluar afatin e shpallur më herët nga Trump për zgjidhje. Ndërsa situata mbetet e paqëndrueshme, zyrtarët amerikanë po e konsiderojnë gjithnjë e më shumë rrugën e negociatave në Pakistan si një mundësi për uljen e tensioneve.
Në këtë kontekst, Trump ka shprehur pakënaqësi për mungesën e mbështetjes nga partnerët evropianë, duke kritikuar drejtuesit kryesorë të Britanisë dhe Francës, si dhe duke vlerësuar negativisht takimin me kreun e NATO-s.
Operacioni i shpëtimit përballet me vështirësi
Për të shmangur vendime të nxituara, këshilltarët vendosën t’i përcillnin presidentit informacion vetëm në fazat më të rëndësishme të operacionit, ndërsa ndjekja e detajuar u menaxhua nga strukturat e sigurisë kombëtare.
Misioni i shpëtimit, që zgjati rreth 24 orë gjatë fundjavës së Pashkëve, u shoqërua me probleme teknike, përfshirë bllokimin e përkohshëm të mjeteve në terren shkretinor.
Gjatë operacionit, forcat amerikane ndërmorën veprime për të devijuar vëmendjen e njësive iraniane, ndërsa piloti i rrëzuar u transportua drejt pikës së nxjerrjes. Një pilot tjetër u shpëtua me sukses në orët e vona të së shtunës.
Megjithëse operacioni përfundoi pa pasoja të mëdha, tensionet mbetën të larta. Në orët e para të mëngjesit, Trump publikoi një mesazh paralajmërues në rrjetet sociale, duke kërkuar hapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe duke paralajmëruar pasoja të rënda për Iranin në të kundërt.









