Gazetari i “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, Michael Martens, ka ndarë detaje lidhur me intervistën e realizuar me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në Hagë.
Martens, në rrjetin social x ka bërë të ditur se një intervistë ballë për ballë nuk ka qenë e mundur, prandaj pyetjet janë dorëzuar me shkrim në gusht të vitit 2025, ndërsa përgjigjet janë miratuar nga gjykata vetëm pas një periudhe prej katër muajsh.
Ai ka bërë të ditur se përgjigjet i janë dërguar me postë, por vetëm pasi kishte nënshkruar një dokument konfidencial, i cili parashihte që intervista të publikohej vetëm në versionin e miratuar nga gjykata, pa asnjë ndryshim apo ndërhyrje.
‘’Një intervistë ballë për ballë nuk ishte më e mundur. Pyetjet duhej të dorëzoheshin me shkrim dhe përgjigjet do të publikoheshin vetëm pas shqyrtimit nga tribunali, më thanë. Një intervistë pa mundësinë e pyetjeve kritike pasuese nuk është vërtet një intervistë. Megjithatë, ia vlente të provohej. Ndoshta përgjigjet do të ishin gjithsesi interesante. Kështu, në gusht 2025, paraqita 12 pyetje në Hagë. U deshën katër muaj derisa, në prag të Krishtlindjes 2025, gjykata më njoftoi me email se përgjigjet e Thaçit ishin miratuar’’, ka shkruar ai.









