Polonia ka lansuar me sukses një raketë suborbitale me tre faza, duke shënuar arritjen më të fundit në sektorin hapësinor në zhvillim të vendit.
Zëvendësministri i mbrojtjes Cezary Tomczyk njoftoi të hënën se raketa kishte përfunduar një fluturim prove “të sigurt dhe të qëndrueshëm”, duke arritur një lartësi prej 65 km mbi terrenin e saj të stërvitjes në Poloninë veriore.
Tomczyk shtoi se raketa kishte arritur të gjitha objektivat e saj të synuara, duke përfshirë ndarjen e saktë të fazave, udhëzimin drejt një pike të caktuar në hapësirë dhe fluturimin përgjatë një trajektoreje të planifikuar.
Ndërkohë, ky ishte testi i fundit në zhvillimin e një sistemi lëshimi me tre faza nga Polonia, pas testeve të lëshimit me një dhe dy faza më herët në vitin 2025.
Projekti, i kryer nga një konsorcium vendas, u iniciua nga qeveria e mëparshme polake në vitin 2020. Qëllimi i tij ishte të zhvillonte një raketë të aftë për të transportuar një ngarkesë prej 40 kilogramësh në një lartësi që tejkalon 100 km.
Raketa fillimisht do të përdoret për të transportuar ngarkesa kërkimore në hapësirë, por në të ardhmen mund të përshtatet edhe për të zhvilluar raketa kundërajrore dhe taktike.
“Raketa, bazohet në tre faza me motorë me lëndë djegëse të ngurta, të cilët kanë përparësi kryesisht të lidhura me aplikimet ushtarake”, tha Michał Pakosz, kreu i Departamentit të Teknologjisë së Raketave në Institutin e Aviacionit Lukasiewicz.






