Politika Big Brother VIP

Blerim Shala 

Në këtë Reality Show, çfarë është Big Brother VIP, krejt çka ndodhë në jetën e mirëfilltë, duhet të ngjajë edhe këtu. Pos vdekjes, natyrisht. Ama këtu të gjitha këto rrjedha të zakonshme jetësore janë në masë të madhe në shërbim të lojës televizive dhe nën mbikëqyrje të plotë të shikuesve.

Në një show televiziv ku gjithçka duhet të jetë e sinqertë, shumëçka del të jetë simulim dhe imitim i realitetit. Punë e madhe, do të thoshin ithtarët e tij. Neve na pëlqen dhe e shikojmë. Fair Enough, do të thoshin amerikanët.

Një ngjarje e këtij lloji, e cila është sall imitim i asaj të njëmendtës, për shembull është martesa në mes të dy protagonistëve të Big Brother VIP  (në variantin e Kosovës dhe Shqipërisë), dhe dasma përcjellëse.

Çifti që celebron martesën në kushtet e studiove të mëdha televizive, e bën këtë rëndom pa kurrfarë dashurie, me qëllim të vetëm që këta të dy t’i shtojnë gjasat për fitoren në fund të këtij spektakli televiziv.

Ama dasmë ka. Çallgi, valle, pije dhe ushqim, natyrisht, edhe tortë tamam si duhet, në fund.

Këtë e dinë të gjithë ata që i janë qepur me të madhe Big Brother VIP.

E të tillë janë të shumtë. Kudo ku ka shqiptarë.

Çfarë pamë këto ditë në këtë politikën kosovare  (e çka nuk kemi pa krejt që prej dimrit të vitit të kaluar), është një zhvillim që në masë të madhe ta çon mallin e kësaj martese dhe dasme në Big Brother VIP.

Kësaj here, kishim të bënim me ceremoninë e dorëzim – pranimit të detyrës të bërë në mes të Presidentes Vjosa Osmanit, dhe Kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiut, e cila ndodhi me 4 prill, të shtunën, në ditën kur i skadoi mandati pesëvjeçarë Presidentes Osmani.

Haxhiu, Ex officio, si Kryetare e Kuvendit mori edhe rolin e Ushtruesit të Detyrës së Presidentes së Kosovës.

Këtu kalimthi vlen të përmendet një fakt i padiskutueshëm. Në 18 vjet të ekzistencës së shtetit të Kosovës, kemi pas pesë Presidentë. Por, vetëm në një rast ka pasur dorëzim – pranim të mandatit, dhe atë, në mes të Atifete Jahjagës dhe Hashim Thaçit, në muajin prill të vitit 2016.

Asnjëherë tjetër kjo nuk ka ndodhë, për shkak të mënyrës se si është ndërprerë mandati i Presidentit.

Në këtë kontekst, Osmani është vetëm Presidentja e dytë që e ka pritur në mënyrë të rregull përfundimin e detyrës së saj.

Sidoqoftë, këtu duhet shtuar që teksa në rastet e tjera kur Presidentët e vendit nuk i kanë dalë mbanë ta përmbyllin mandatin e tyre, shkaqet kanë qenë fare objektive  (Vendimet e Gjykatës Kushtetuese ose shpallja e Aktakuzës nga Dhomat e Specializuara), tani, në vitin 2026, kjo çka po shohim tash është mbi të gjitha reflektim i një dështimi të madh të skenës politike të vendit për ta zgjedhur Presidentin e Kosovës.

Faji pra është i qartë dhe i prerë. Për më shumë, nuk ka fort garanci që kjo skenë politike e jona do ta respektojë afatin kohor të Gjykatës Kushtetuese që jo më larg se me 28 prill, në Kuvendin e Kosovës ta zgjedhë Presidentin e ri.

Sidoqoftë, siç u tha tashmë, ajo çfarë u shënua të shtunën e kaluar në Zyrën e Presidentes Osmani dhe në hyrjen në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës  (krahu presidencial), me Gardën solemne të FSK-së, ta kujton ceremoninë e martesave dhe dasmave në Big Brother VIP.

Thjeshtë, kjo nuk ishte ajo çka duhej të ishte. Ishte për më shumë imitim dhe simulim i atij realitetit të duhur.

Nuk mbajmë në mend që ka pasur më herët, në çfarëdo niveli të pushtetit tonë, e lëre më në këtë më të lartin, një ceremoni e dorëzim – pranimit të detyrës në mes të një zyrtari të lartë në shkuarje dhe atij që në kategorinë e Ushtruesit të Detyrës do të vazhdojë të mbajë të zënë këtë pozitë, për të evituar atë vakumin institucional.

Vet ky fakt konfirmon që e tëra ishte diç e pazakontë për ne, për këtë politikën vendore.

Nuk ka, duhet shtuar këtu, raport proporcional, apo ekuivalencë politike dhe institucionale në mes të Presidentit që përfundon mandatin dhe Ushtruesit të Detyrës së Presidentit  (Kryetarit të Kuvendit), për ta bërë pastaj një ceremoni të këtillë të dorëzim – pranimit të detyrës.

UD e Presidentes, në rastin më të mirë do të qëndrojë aty deri me 28 prill, kur do të duhej të zgjedhej Presidenti i ri. Mund të rri aty edhe gjashtë muaj të plotë. Por jo më shumë.

Nëse do të kemi lajm të mirë nga Kuvendi i Kosovës kah fundi i këtij muaji, me siguri nuk do të ketë dorëzim – pranim të detyrës në mes të UD të Presidentes dhe Presidentit të sapozgjedhur.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit