Policia turke ka arrestuar 272 persona të dyshuar për trafikim të drogës në Stamboll, në një operacion të gjerë antidrogë që kishte në shënjestër shpërndarësit e rrugës dhe lagjeve të qytetit.
Lajmin e bëri të ditur Ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya, përmes një postimi në platformën X.
Sipas Yerlikayas, objektivi i këtij operacioni ishin individët e njohur si “tregtarë ambulantë” – persona që shesin substanca narkotike në rrugë e zona të banuara.
Ai shtoi se policia ishte përgatitur për katër muaj për këtë aksion, duke vendosur disa lagje të Stambollit nën mbikëqyrje intensive dhe duke analizuar të dhënat e mbledhura përpara ndërhyrjes.
Ministri kujtoi gjithashtu se ky është operacioni më i madh i ndërmarrë kundër tregtarëve të rrugës në këtë qytet, ndërkohë që vetëm muajin e kaluar në kryeqytetin Ankara ishin arrestuar 525 persona në një tjetër operacion historik antidrogë.






