Policia e Kosovës ka dalë me një komunikatë për tubimin e mbrëmshëm të qytetarëve në mbështetje të ish-krerëve të UÇK’së ku tha se situata ka qenë kryesisht e qetë dhe pa ndonjë incident të raportuar.
Policia tha se me njësitë e saj ka menaxhuar me situatën e sigurisë dhe ka monitoruar situatën gjatë këtyre zhvillimeve, njëkohësisht ka kontrolluar edhe rrjedhën e trafikut në përgjithësi.
“Situata ka qenë kryesisht e qetë, nuk është raportuar për ndonjë incident në aspektin e sigurisë”.
Por, më pas, policia tha se pati defilime të rrezikshme me veturat, duke krijuar edhe kolona në trafik.
“Rreth orës 23:30 pjesëmarrësit kanë filluar të shpërndahen në mënyrë të qetë, mirëpo një numër i caktuar i tyre kanë vazhduar të zhvendosen në drejtim të bazës së EULEX-it, për të vazhduar me protestën para objektit të këtij institucioni. Pjesëmarrësit kanë qëndruar rreth 30 minuta pranë objektit të EULEX-it, dhe më pas janë nisur në drejtim të kryeqytetit, ku me automjetet e tyre kanë vazhduar të defilojnë nëpër disa rrugë të kryeqytetit. Defilimet e tyre me vetura përveç krijimit të kolonave në trafik, kanë kryer edhe vozitje të rrezikshme, madje edhe kanë shkaktuar rrezik për pjesëmarrësit e tjerë në trafik, por edhe për veten e tyre”.
Policia e Kosovës tha se është detyruar që të ndërmarrë masa shtesë në trafik, të ndërpresë dhe riorientojë përkohësisht trafikun, me qëllim të mbarëvajtjes së sigurt të trafikut dhe shmangies se bllokimeve e aksidenteve të mundshme nga vozitjet e rrezikshme e të pakujdesshme, të cilat kanë zgjatur deri në orët e vona pas mesnatës.
“Zyrtarët policorë do të vazhdojnë angazhimet e tyre në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike dhe respektimin e të drejtës së qytetarëve të vendit për shprehjen e pakënaqësisë së tyre në mënyrë demokratike në pajtim me ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës, por njëkohësisht do të ndërmarrë masa ndëshkuesve ndaj atyre që bien ndesh me ligjin dhe ndaj atyre që nuk respektojnë rregullat e trafikut rrugor”.
Në fund, policia falënderoi qytetarët dhe bëri thirrje për kujdes për të mos e dëmtuar pronën publike dhe që të respektohen rregullat e komunikacionit.
“Policia e Kosovës, FALËNDERON qytetarët për bashkëpunim in dhe mirëkuptimin e treguar në vazhdimësi ndaj policisë dhe njëkohësisht APELON që të kenë kujdes të shtuar, të mos dëmtojnë pronën publike e private, të respektojnë ligjet, e në veçanti rregullat në trafikun rrugor sepse është interes i sigurisë së përgjithshme”.








