Policia e Kosovës ka njoftuar se të dielën ka gjetur dhe sekuestruar armë, municion, uniforma ushtarake dhe pajisje të tjera në dy lokacione në veri të Kosovës.
Sipas njoftimit të Policisë, kontrollet janë zhvilluar në fshatin Dren të Leposaviqit dhe në fshatin Shipovë të Zubin Potokut, pas informatave se në këto lokacione mund të kishte armë dhe mjete të tjera ilegale.
Në fshatin Dren, gjatë kontrollit në një objekt që përdorej si stallë, janë gjetur një armë përsëritëse M-56, dy pistoleta, një CZ-99 dhe një CZ Mod-70, si dhe 139 fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Për këtë rast është arrestuar S.V., i lindur më 1971. Policia ka bërë të ditur se ai është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa me urdhër të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Ndërkaq, në një shtëpi të pabanuar në fshatin Shipovë, Policia ka gjetur një pushkë automatike AK-47, gjashtë karikatorë dhe 157 fishekë, një pushkë gjuetie M-48 me 186 fishekë, një bajonetë, uniforma ushtarake me emblemë serbe, dy çanta ushtarake dhe një pajisje ushtarake për ushqim.
Për rastin në Shipovë, deri më tani nuk ka persona të arrestuar.
Policia ka bërë të ditur se, me urdhër të prokurorit të shtetit, për të dyja rastet është iniciuar hetim për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.










