Policia e Sllovakisë ka njoftuar se do të kujdeset për rendin, qetësinë dhe sigurinë publike para, gjatë dhe pas ndeshjes mes Sllovakisë dhe Kosovës, e cila zhvillohet sonte në kuadër të gjysmëfinales së plejofit kualifikues për Kupën e Botës 2026.
Ndeshja do të zhvillohet në Stadiumin Nacional në Bratislavë dhe nis në orën 20:45. Policia sllovake ka thënë se ka marrë të gjitha masat e sigurisë së përgjithshme për këtë ndeshje, e cila është klasifikuar zyrtarisht si një ngjarje me rrezikshmëri të lartë.
“Qëllimi i masës së sigurisë do të jetë mbrojtja e jetës, shëndetit dhe pronës së qytetarëve, sigurimi i rendit publik, si dhe siguria dhe rrjedha e qetë e trafikut rrugor në Bratislavë. Ne u bëjmë thirrje tifozëve që planifikojnë të marrin pjesë në këtë ngjarje sportive të ndjekin udhëzimet e organizatorit dhe policisë dhe të mos kryejnë veprime të paligjshme para, gjatë ose pas përfundimit të ngjarjes sportive në stadium ose në afërsi të tij”, njofton policia në rrjetet sociale.
Policia shtoi se “policia e trafikut, policia e trazirave dhe policia kriminale do të monitorojnë situatën gjatë masave të sigurisë dhe do të jenë të gatshme të përgjigjen në mënyrë operative sipas zhvillimit të saj”.
Përfaqësuesja e Kosovës do të ketë mbështetje të madhe nga tribunat. Kosovës i takojnë pesë për qind të biletave, megjithatë nuk përjashtohet mundësia të ketë edhe më shumë tifozë që do t’i qëndrojnë afër “Dardanëve”. Deri më tani nuk është shënuar asnjë incident.









